NATO bën prapaktheu në minutën e fundit, Ukraina nuk merr avionët e premtuar

schedule16:01 - 1 Mars, 2022

schedule 16:01 - 1 Mars, 2022

Krahas luftës në terren po ndodh edhe një luftë e madhe informacioni jo vetëm me Ukrainës dhe Rusisë, por edhe mes këtyre dy shteteve dhe të tretëve. Kështu për shembull, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës dhe Parlamenti deklaruan sëfundmi se ishte vendosur dhe do të merrnin 70 avionë gjuajtës nga shtetet e NATO-s për t’i përdorur kundër Rusisë.

Një gjë të tillë e deklaroi dy ditë më parë edhe shefi i diplomacisë së BE Josep Borrel, por duket se gjërat nuk po shkojnë siç do të donin ukrainasit.

Të paktën Polonia duket se nuk do të japë avionët e saj për Ukrainën, siç deklaroi mesditën e sotme presidenti i vendit Andrzej Duda në prani edhe të shefit të NATO-s Jens Stoltenberg.

Ai tha se NATO po e mbështet Ukrainën, por nuk do të bëhet pjesë e këtij konflikti për aq kohë sa ky shtet nuk është pjesë e NATO-s.

“Ne nuk i dërgojmë avionët tanë në Ukrainë, sepse kjo do të nënkuptonte ndërhyrje ushtarake në konfliktin që po zhvillohet në atje duke e bërë edhe NATO-n automatikisht pjesë të tij”, tha presidenti Andrzej Duda duke shtuar se NATO nuk është palë në konflikt. “Ne po i ofrojmë Ukrainës ndihma të ndryshme, kryesisht humanitare, por aeroplanët tanë nuk do të fluturojnë në qiejt e Ukrainës për momentin”, tha ai.

Deklarata e Dudas u përforcua edhe nga shefi i NATO-s Stoltenberg, i cili tha: NATO nuk do të bëhet pjesë e këtij konflikti, kështu që ne nuk kemi ndërmend të dërgojmë trupa apo avionë në tokën apo qiellin ukrainas. /abcnews.al