Ukraina njoftoi të enjten se ka kryer një operacion special gjatë natës në gadishullin ukrainas të Krimesë të aneksuar nga Rusia.
Sipas njoftimit, në kuadër të operacionit janë vrarë ushtarë rusë, ndërsa është ngritur flamuri ukrainas.
“Armiku pësoi viktima dhe pajisjet u shkatërruan. Flamuri kombëtar u valëvit përsëri në Krimenë e Ukrainës”, tha shërbimi i inteligjencës ushtarake ukrainase në një postim në platformën Telegram.
Ai sqaroi se njësitë e forcave speciale zbarkuan pranë fshatrave Olenifka dhe Mayak, në pjesën perëndimore të gadishullit, përpara se të tërhiqeshin pa viktima.
I njëjti burim tha se forcat ukrainase arritën “të gjitha objektivat”, pa sqaruar megjithatë se cilat ishin ato objektiva.
18 të plagosur nga sulmet ruse
Ndërkohë, zyrtarët lokalë ukrainas njoftuan sot, në 32-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, se të paktën 13 persona u plagosën nga sulmet ruse në vend.
Një raketë ruse plagosi 10 persona në qytetin Dnipro dhe 3 të tjerë, përfshirë një fëmijë, u plagosën në një sulm në Kherson në jug.
3 nga të lënduarit në Dnipro po trajtohen, tha guvernatori rajonal Serhi Lisak, duke shtuar se një objekt transporti u dëmtua.
Më shumë se 10 ndërtesa të tjera, duke përfshirë një bankë, një hotel dhe një ndërtesë administrative u dëmtuan, tha ai.
Fotot e postuara nga Lisak në platformën Telegram tregojnë një ndërtesë pjesërisht të shkatërruar, ku njerëzit po pastrojnë mbeturinat dhe një strukturë metalike të përdredhur.
“Fotografia tregon të vetmen gjë për të cilën është në gjendje të bëjë ‘bota ruse’. Të shkatërroj gjithçka që prek”, thekson ai.
Një vajzë 7 vjeçare u plagos nga bombardimet ruse në qendër të Khersonit, tha guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm njoftoi se 2 persona të tjerë u plagosën kur njëra prej predhave goditi çatinë e një shtëpie private.
Sot, saktësisht 18 muaj pas fillimit të pushtimit rus, është një festë kombëtare për Ukrainën, e cila feston pavarësinë e saj pas rënies së Bashkimit Sovjetik.