Ukraina së fundmi ka bërë me dije se ka konfirmuar një rast të poliomielitit në provincën e saj në Rivne.
Ministria e Shëndetësisë në këtë vend ka bërë me dije se rasti i parë është një foshnjë vetëm 18 muajsh, e cila ndodhet e shtruar në spital me simptoma të paralizës.
“Prindërit e refuzuan vaksinimin e saj për shkak të besimeve të tyre fetare”, thuhet në deklaratë.
Poliomieliti është çrrënjosur nga Evropa qysh në vitin 2002. Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmoi se një poliovirus është identifikuar si shkak i paralizës së një fëmije në provincën Rivne të Ukrainës.
Ndërkohë në vitin 2015, Ukraina konfirmoi raste të tjera të poliomielitit në dy fëmijë. Sipas OBSH-së, këto kanë përbërë shpërthimin e parë në Evropë në pesë vjet.
Poliomieliti është virus që prek fëmijët nën 5 vjeç. Virusi transmetohet kryesisht përmes ushqimit të kontaminuar dhe ujit. Virusi mund të sulmojë sistemin nervor dhe mund të shkaktojë paralizë./abcnews.al