Ukraina njoftoi sot se, për herë të parë, ka goditur me një dron detar një nëndetëse ruse të ankoruar në portin e Novorossiiskut në Detin e Zi, duke i shkaktuar asaj dëmtime të rënda.
“Për herë të parë në histori, dronët nënujore ‘Sub Sea Baby’ shpërthyen një nëndetëse ruse”, njoftuan shërbimet ukrainase të sigurisë (SBU) në Telegram.
“Si pasojë e shpërthimit, nëndetësja pësoi dëmtime të rënda”, shtuan ato.
Kjo lloj nëndetëseje sulmuese konvencionale prodhohet që nga vitet 1980. Sipas analistëve ushtarakë, Rusia ka më shumë se 30 të tilla. Rusia nuk ka reaguar ende ndaj këtyre pretendimeve ukrainase.
Që nga fillimi i luftës në 2022, Ukraina ka goditur disa herë me dronë ose raketa anijet ruse në ujërat e Detit të Zi, duke i detyruar ato të qëndrojnë në pjesën lindore për t’i shpëtuar sulmeve.
Ajo kishte goditur më parë porte ruse në Detin e Zi, përfshirë edhe atë të Novorossiiskut, pranë të cilit një terminal i madh nafte u detyrua të ndalojë aktivitetin në fund të nëntorit pas një sulmi me dron detar.
Nga ana tjetër, Rusia bombardon rregullisht portin ukrainas të Odesës, ku në ditët e fundit janë goditur edhe disa anije transporti turke/abcnews.al

