Kolonel Sami Neziri ka deklaruar për War Report se Ukraina është e gatshme të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO në këmbim të garancive ligjore për sigurinë e saj. Ai theksoi se çështja e territoreve mbetet e komplikuar, pasi Rusia i ka aneksuar disa zona dhe Ukraina i konsideron pjesë natyrale të saj.
Neziri shtoi se Ukraina është më e interesuar për një marrëveshje paqeje, ndërsa Rusia synon të mbajë apo të zgjerojë territoret e pushtuara. Ai vuri në dukje se bisedimet në Berlin parashikojnë dërgimin e trupave ndërkombëtare nëse arrihet një marrëveshje paqeje.
“Ukraina e ka të drejtën të ketë garanci të ligjshme sigurie. Ukraina ka deklaruar se është e gatshme të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO në këmbim të garancive të sigurisë ligjërisht të detyrueshme, të parashikuara në ligj. Çështja e territoreve nuk i shërben zgjidhjes, pasi Rusia pretendon se i ka aneksuar ato dhe i ka bërë pjesë të kushtetutës së saj, ndërsa Ukraina i konsideron pjesë natyrale të territorit të vet.
Sa i përket interesave për një marrëveshje paqeje, Ukraina është më e interesuara, pasi është më e dëmtuara nga kjo luftë. Janë zhvendosur popullata të tëra dhe vendi kërkon një marrëveshje të drejtë. Rusia, nga ana tjetër, nuk duket e interesuar për një marrëveshje paqeje, pasi synon të mbajë territoret që ka pushtuar ose edhe të marrë më shumë.
Shtrohet pyetja se kush do ta garantojë që ato zona do të jenë neutrale dhe kush do të garantojë që Rusia nuk do t’i pushtojë sërish. Në bisedimet në Berlin, vendet ranë dakord që, nëse arrihet një marrëveshje, të dërgojnë trupa në terren.” / abcnews.al /

