Ushtria e Ukrainës tha se forcat ruse vazhdojnë të kryejnë sulme me raketa duke synuar objektivat ushtarakë dhe civile në të gjithë Ukrainën, sipas BBC.
Në Mariupol, që duket se është në prag të rënies pas betejës prej muajsh – ushtarët rusë po bllokojnë njësitë në fabrikën e çelikut Azovstal, sipas një përditësimi nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Ata shtojnë se forcat ruse po sulmojnë gjithashtu Donestsk dhe vazhdojnë të bombardojnë zonat kufitare të Chernihiv dhe Sumy. Sipas ushtrisë ukrainase, dy shpërthime të forta janë raportuar rreth orës 06:00 në Dnipro, një qytet në Ukrainën qendrore.
Valentyn Reznichenko, guvernatori i rajonit, tha se forcat ukrainase rrëzuan një raketë, mbetjet e të cilës ranë në një kopsht privat, duke dëmtuar dy shtëpi dhe duke plagosur një grua.
Një tjetër raketë goditi infrastrukturën e transportit, thotë ai, pa dhënë detaje.
Një nga qytetet më të mëdha të vendit me një popullsi prej rreth një milion, Dnipro është bërë një qendër për mijëra njerëz që ikin nga konflikti në Ukrainën jugore dhe lindore, duke përfshirë ata që largohen nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.
/abcnews.al