Ukraina e gatshme të zmbrapsë sulmet ruse në Bakhmut

schedule07:53 - 31 Tetor, 2023

schedule 07:53 - 31 Tetor, 2023

Zyrtarë ushtarakë ukrainas thanë të hënën se Rusia ka shtuar praninë e forcave përreth qytetit të shkatërruar Bakhmut në Ukrainën lindore, dhe i ka kaluar ato në ofensivë, por se Ukraina është e përgatitur për t’i zmbrapsur këto sulme.

Rusia e mori në muajin maj qytetin Bakhmut, ku ndodhën disa prej luftimeve më të përgjakshme të luftës tashmë 20-mujore. Ukraina filloi një kundërofensivë në muajin qershor që synonte rimarrjen e territorit në jug dhe lindje të vendit, përfshirë qytetin Bakhmut.

“Në zonën e Bakhmutit, armiku ka forcuar shumë praninë dhe ka kaluar nga veprimet mbrojtëse, në ato aktive”, njoftoi Gjenerali Oleksandr Syrskyi, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, në rrjetin Telegram.

Volodymyr Fityo, drejtues i komunikimeve për komandën e forcave tokësore të Ukrainës, tha se forcat ruse janë përgatitur që më herët këtë muaj për të rimarrë pozicionet përreth qytetit Bakhmut, të cilat i humbën gjatë kundërofensivës ukrainase.

“E pamë këtë, të dhënat e zbulimit e njoftuan. Ishim duke u përgatitur, duke forcuar pozicionet tona mbrojtëse, duke ngritur fortifikime dhe duke shtuar rezervat”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters zoti Fityo nëpërmjet telefonit. “Nuk na vjen si befasi”.

Dy zyrtarët ukrainas thanë se forcat ruse ishin në veçanti aktive pranë qytetit Kupiansk në verilindje që kontrollohet nga ukrainasit, ku zoti Fityo tha se Rusia kishte epërsi numerike.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur situatën në fushëbetejë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi në raportin e përditshëm se forcat e Kievit vazhdojnë ofensivën pranë qytetit Bakhmut.

“Armiku u përpoq pa sukses të rivendoste pozicionet e humbura pranë Klishchiivkas”, thuhet në raport, duke iu referuar një fshati në jug të qytetit Bakhmut të rimarrë nga Ukraina në shtator.

Trupat ruse gjithashtu u përpoqën të përparonin në Synkivka, në veri të Kupianskut, por nuk arritën përparim.

Rusia gjithashtu ka përqëndruar shumicën e forcave të saj në javët e fundit për përpjekjet për të rrethuar dhe marrë Avdiivkan, një qytet strategjik në jugperëndim të qytetit Bakhmut.

Ndërkaq kryeministri holandez Mark Rutte njoftoi të hënën se avionët e parë luftarakë F-16 që Holanda do t’i dhurojë Ukrainës, do të mbërrijnë në qendrën stërvitore në Rumani brenda dy javësh.

Në një videokonferencë me Presidentin ukrainas Zelensky, zoti Rutte gjithashtu konfirmoi se raketat kundërajrore Patriot gjithashtu do të dërgoheshin së shpejti.

Edhe Danimarka, Norvegjia dhe Belgjika kanë njoftuar se do t’i japin Ukrainës avionë F-16.

“Ajo që po ndodh tani në Gazë dhe sulmi terrorist në Izrael dhe ato që pasuan, nuk do të na shpërqëndrojnë nga ajo çfarë po ndodh mes jush dhe Rusisë, fakti se po luftoni për të zmbrapsur agresionin rus. Duhet të sigurohemi që bota mund të përqëndrohet tek Ukraina dhe tek ato çfarë po ndodhin në Lindjen e Mesme”, tha ai./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!