Ukraina do t’i rezistojë sulmit të Rusisë, por a do ta mbështesë Perëndimi?

schedule12:46 - 30 Nëntor, 2021

schedule 12:46 - 30 Nëntor, 2021

Nga Olga Tokariuk “Center for European Policy Analysis

Ukraina po forcohet nga dita në ditë, dhe kjo është ajo që po e irriton presidentin rus Vladimir Putin. Pavarësisht fushatës propagandistike të Kremlinit, i cili e portretizon si një shtet të dobët dhe të dështuar, Ukraina ka treguar një qëndrueshmëri mbresëlënëse, që nga koha kur u sulmua nga Rusia 7 vjet më parë.

Gjatë këtyre viteve, vendi e ka përmirësuar ndjeshëm aftësinë luftarake të ushtrisë, e cila renditet tani si e 25-ta më e fortë në botë. Ekonomia ukrainase, e prekur në fillim shumë rëndë nga lufta, ka nisur të rimëkëmbet me një rritje vjetore të PBB-së që para pandemisë ishte rreth 3 për qind, e nxitur pjesërisht nga një sektor i fuqishëm dhe progresiv i teknologjisë së informacionit.

Në vend janë ndërmarrë disa reforma të rëndësishme dhe shumë të nevojshme, përfshirë decentralizimin dhe reformën e tokës. Ligji për prokurimin publik dhe ngritja e autoriteteve kundër korrupsionit, ka pakësuar ndjeshëm abuzimet me fondet publike.

Demokracia ukrainase, ka pasur pa dyshim një ecje me ulje-ngritje, por tashmë qytetarët e saj janë mësuar të jetojnë në një vend demokratik me zgjedhje të lira, me të drejtën për të zhvilluar protesta paqësore, dhe me një mjedis mediatik të larmishëm.

Një shoqëri civile e zëshme, luan një rol të rëndësishëm në vendimmarrjen e qeverisë. Gjëra të tilla janë të paimagjinueshme në Rusinë e Putinit. Fuqia e butë e Rusisë, ka dështuar në mënyrë spektakolare në Ukrainë që nga fillimi i agresionit në vitin 2014, me aneksimin e Krimesë dhe pushtimin e Ukrainës Lindore.

Sot vetëm 1 në 10 votues ukrainas, mbështet partitë politike pro-ruse. Po ashtu kanë ndryshuar edhe ndjenjat e publikut ukrainas. Ndërsa në vitin 2008, 51 për qind e ukrainasve e shihnin afrimin e mëtejshëm me Rusinë, si një prioritet të politikës së jashtme, këtë vit 58 për qind e ukrainasve thanë se mbështetin anëtarësimin e vendit në NATO, duke e parë atë si një pengesë ndaj agresionit rus.

Më pak se 10 për qind e qytetarëve, mbështetin një aleancë me Rusinë. Perëndimi mund të mos kalojë shumë kohë duke vëzhguar ngjarjet në Ukrainë, por Kremlini po. Ndryshimet që kanë ndodhur pas vitit 2014 janë jo vetëm të dukshme, por ato po shkakton një nervozizëm në rritje në Moskë.

Putin po e kupton se është e pamundur të bindë ukrainasit, që ta braktisin vullnetarisht rrugën e tyre euroatlantike. Çdo ditë që kalon, Ukraina po largohet gjithnjë më shumë nga Rusia. Kjo është arsyeja pse Kremlini po kërcënon ta përdorë fuqinë ushtarake.

Pasi kjo është mënyra e vetme e mundshme, për të tentuar rikthimin e Ukrainës në të ashtuquajturën sferën e saj të ndikimit. Por kjo është një llogaritje e gabuar. Ukrainasit e kanë parë me sytë e tyre se çfarë ndodhi me pjesët e Donjeckut dhe Luhanskut të pushtuara nga Rusia.

Qyteti i Donjeckut, dikur një nga më të pasurit dhe më të gjallët në Ukrainë, është kthyer tashmë në një qytet fantazmë të shpopulluar, dhe me një infrastrukturë të shkatërruar. Në vend të klubit me famë botërore si Shakhtar, pika e referimit tani është burgu Izoliacia, ku milicët pro-rusë përdhunojnë, torturojnë dhe vrasin ata që konsiderohen armiq të “republikave popullore”.

Situata nuk është me e mirë në Krime. Pas aneksimit të saj të paligjshëm dhe përgjithësisht të panjohur nga bota, Rusia po e kthen në një bazë ushtarake një vendpushim dikur piktoresk.

E gjithë disidenca në gadishull është shtypur, dhe aty nuk ka më media të lira.

Rastet e inskenuara kundër popullsisë autoktone të tatarëve në Krime, të cilët u dëbuan nga Stalini në vitin 1944 dhe u rikthyen në gadishull vetëm pas pavarësisë së Ukrainës, vazhdojnë që të shtohen.

Duke parë këto zhvillime, ukrainasit e dinë tashmë shumë mirë se çfarë parashikon anëtarësimi në “botën ruse”:shkatërrim, degradim dhe shtypje. Ata nuk e duan një të ardhme të tillë për fëmijët e tyre. Ndaj do të kundërshtojënë me luftë çdo përpjekje të Rusisë, për të pushtuar akoma më shumë territore të Ukrainës.

Përtëritja e agresionit rus kundër Ukrainës, do të nxisë një rezistencë të madhe popullore. Një skenar, në të cilin një ndërhyrje e re e mundshme ruse mirëpritet nga popullata vendase, siç ishte pjesërisht rasti në rajonet e Donenjeckut dhe Luhanskut në vitin 2014, është këtë herë i paimagjinueshëm.

Asnjë rajon ukrainas, madje edhe ata në Ukrainën Lindore dhe Jugore, që janë kryesisht rusisht-folëse, nuk do t’i mirëpriste pushtuesit. Argumenti i thjeshtëzuar se gjuha tregon besnikëri, është hedhur poshtë prej kohësh nga dhjetëra mijëra ukrainas rusisht-folës, të cilët iu bashkuan ushtrisë ukrainase për të luftuar kundër agresionit të Kremlinit në Donbas.

Ditët e fundit unë kam folur me anëtarë të ushtrisë ukrainase. Ata dukeshin çuditërisht të qetë:”Rusia e sulmoi Ukrainën në vitin 2014, dhe që atëherë ne kemi menduar gjithnjë se situata mund të përshkallëzohet në çdo kohë”.

Mesazhi i tyre për Putinin? “Nuk do të ketë njohje të aneksimit rus të Krimesë, asnjë autonomi për Donbasin e pushtuar, dhe asnjë kthim prapa në rrugën e Ukrainës drejt BE-së dhe NATO-s. Ne jemi gati për luftë, dhe do të luftojmë deri në ushtarin e fundit!”.

Edhe civilët do të rezistojnë. Organizatat vullnetare, të cilat ndihmuan në organizimin e rezistencës në vitin 2014, kur Ukraina u kap në befasi nga agresioni rus, po mobilizojnë edhe tani burimet që kanë në dispozicion. Në rast se Putin vendos të nisë një ofensivë në shkallë të plotë, do të formohen njësitë e mbrojtjes territoriale, dhe do të fillonte një luftë e përgjakshme guerile.

Dhe ushtarët rusë nuk do ta kishin aspak të lehtë. Pushtimi i një territori, mund të jetë një pjesë e lehtë, duke pasur parasysh epërsinë e Rusisë në det dhe në ajër, por mbajtja e tij do të shndërrohej në një makth për Moskën. Thyerja e frymës luftarake të ukrainasve, do të kërkonte një nivel të paprecedentë terrori, shumë më i lartë se sa po shihet aktualisht në Bjellorusinë fqinje.

Për t’i shtypur ukrainasit, do të duhej diçka që të kujton represionin e Stalinit. Partnerët perëndimorë të Ukrainës, duhet të jenë të vetëdijshëm mbi vendosmërinë e ukrainasve, dhe ta marrin atë në konsideratë kur mendojnë për reagimin që duhet të kenë ndaj sjelljes agresive të Rusisë.

Putin kërkon një marrëveshje me Perëndimin për kokat e ukrainasve. E megjithatë, çdo përpjekje për të imponuar lëshime, të cilat ukrainasit i shohin si të papranueshme dhe dëmtuese të sovranitetit të vendit, janë të destinuara të dështojnë.

Ato nuk do të pranohen, dhe asnjë qeveri në Kiev nuk mund t’i pranojë dhe të shpresojë të mbijetojë. Ajo që nevojitet për ta frenuar Rusinë, nuk është më shumë qasje e butë ndaj saj, por një mbështetje e fuqishme për Ukrainën:si në aspektin e aftësive të përmirësuara të mbrojtjes, ashtu edhe sanksioneve të reja dhe më të dhimbshme ndaj Rusisë. Përballë një kërcënimi të agresionit të ri rus, ukrainasit nuk kanë frikë. Por a do të qëndrojë Perëndimi në krah të tyre, dhe a do të tregojë ai të njëjtin guxim dhe forcë? /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Olga Tokariuk, është një gazetare dhe studiuese me banim në Kiev.