Ukraina dhe Rusia, NATO duhet t’ia bëjë të qartë Moskës se po luan me zjarrin

schedule18:15 - 5 Maj, 2021

schedule 18:15 - 5 Maj, 2021

Nga John R.Deni, The Hill

Vendosja kohët e fundit e dhjetëra mijëra trupave ruse në kufi me Ukrainën, së bashku me një sërë armatimesh të nevojshme për një pushtim, e kërcënuan në thelb integritetin territorial të Ukrainës dhe pavarësinë e saj politike.

Edhe pse po thuhet se Rusia i ka rikthyer trupat në kazermat e tyre në lindje të vendit, armët mbeten ende aty në kufi, si rezerva të paravendosura dhe të disponueshme, në rast se Moska vendos realisht të pushtojë Ukrainën.

Duke pasur parasysh këtë potencial për një pushtim të shpejtë, si dhe interesin e Perëndimit për një Ukrainë të qëndrueshme e të pavarur, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s duhet t’ia bëjnë të qartë Moskës përgjigjen e tyre në rastin e një pushtimi rus.

Paqartësia, edhe pse ndonjëherë e dobishme në sigurinë kombëtare, është joproduktive në këtë situatë. Në vend të kësaj qasjeje, NATO mund ta shfrytëzojë samitin e ardhshëm të qershorit, për të bërë me dije llojet e hapave që mund të ndërmarrin vendet perëndimore pas çdo inkursioni rus ndaj Ukrainës, si ndërprerja e qasjes së Rusisë në financat ndërkombëtare, bojkoti ndaj furnizimeve energjetike ruse, dhe rifillimi i eksportit të armëve perëndimore në Ukrainë.

Ukraina nuk është një aleate e NATO-s, pavarësisht nga premtimi i keq-konceptuar i aleancës në vitin 2008 për anëtarësimin e saj përfundimtar. Gjithsesi, integriteti territorial dhe pavarësia politike e Ukrainës, janë për të paktën 3 arsye të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë.

Së pari, copëtimi i Ukrainës apo goditja e saj politike për shkak të veprimit ushtarak rus, do të prishte plotësisht stabilitetin e paqartë rajonal të arritur në 2 vitet e fundit, kryesisht falë një angazhimi të përtërirë të SHBA-së dhe aleatëve të tij, për parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve në Evropën Lindore.

Nuk ka asnjë dyshim, se një tjetër pushtim rus do ta zhyste rajonin në destabilitet, dhe do të shkaktonte kërkesa për vendosjen e akoma më shumë dhe jo më pak forcave ushtarake amerikane, gjermane, britanike dhe franceze në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Së dyti, një pushtim rus mund të shkaktonte një fluks refugjatësh që do largoheshin nga Ukraina, duke krijuar trazira sociale, ekonomike dhe madje politike diku tjetër në Evropë. Duke pasur parasysh terrenin përgjatë kufijve perëndimorë dhe jugorë të Ukrainës, ata refugjatë do të drejtoheshin ndoshta drejt Polonisë.

Kjo sfidë është bërë më e vështirë nga masat e bllokimit anti-Covid që ka vendosur Polonia, por edhe nga shkalla e ngadaltë e vaksinimit në vend. Por refugjatët ukrainas mund të shkojnë edhe në destinacione të tjera të preferuara përtej Polonisë, sidomos në Gjermani dhe Itali.

Së treti, edhe një shkelje tjetër e normave dhe ligjit ndërkombëtar nga Rusia, do t’i detyronte Shtetet e Bashkuara t’i kushtonin më shumë energji, vëmendje dhe burime çështjeve të sigurisë evropiane, ndoshta në kurriz të rajonit të Indo-Paqësorit.

Pavarësisht se çfarë bën apo nuk bën Rusia, Evropa mbetet jetike për sigurinë kombëtare amerikane. Por ndërsa Uashingtoni po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek Kina, aventurizmi rus në Evropën Lindore po krijon një shpërqendrim të padëshiruar.

Atëherë, çfarë duhet të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj? T’i bëjnë të qartë Moskës se çfarë rrezikon. Dhe kjo është më se e nevojshme për të shmangur llogaritjet e gabuara, dhe për të eleminuar paqartësinë.

Ndërkohë, qasja parandaluese është ende një zgjedhje politike e zbatueshme, edhe para sesa të nisë një operacion ushtarak rus, që mund ta lërë Perëndimin me më pak mundësi në dispozicion për të reaguar. Pas rreth 7 javësh, aleatët e NATO-s do të mblidhen në samitin e tyre të parë të presidencës Biden, duke pasur një mundësi të shkëlqyer për të sqaruar se cilat do të jenë përgjigjet e mundshme perëndimore ndaj çdo veprimi të mëtejshëm ushtarak rus kundër Ukrainës.

Sigurisht, nuk ka asnjë garanci se Rusia mund të frenohet tani apo në të ardhmen. Por të folurit në unitet dhe me qartësi në samitin e NATO-s, mund të përjashtojë rezultatet më katastrofike.

“Menyja” e përgjigjeve të mundshme të Perëndimit, duhet të përqendrohet së pari në qendrën e gravitetit të Rusisë – tek ekonomia që nxit operacionet e saj ushtarake dhe modernizimin – dhe së dyti tek aftësia e Rusisë për të konsoliduar dhe ruajtur të gjitha përfitimet nga zgjerimi i pranisë së saj në Ukrainë.

Disa analistë, mund të argumentojnë se çështjet ekonomike janë jashtë kompetencave të NATO-s. Por neni 2 i traktatit të saj themeltar, u bën thirrje aleatëve që të bashkëpunojnë më ngushtë me njëri-tjetrin në fushën ekonomike, që është një vektor gjithnjë e më i rëndësishëm për ndikimin rus (dhe kinez), dhe për aktivitetet e tjera hibride në Evropë.

Dhe në lidhje me ekonominë ruse, ekzistojnë 2 shënjestra të veçanta. E para është sektori financiar. SHBA-ja dhe aleatët e saj duhet t’ia bëjnë të qartë Kremlinit, se ka shumë të ngjarë që të pengojnë përfshirjen e institucioneve financiare perëndimore në blerjen e borxhit ekzistues rus në tregjet dytësore, dhe t’i japin fund qasjes së bankave ruse në sistemin financiar ndërkombëtar (SËIFT), të përdorur për shumicën e transfertave ndërkombëtare të parave.

Nëse zbatohen vërtet, këto hapa do të kishin një efekt tronditës mbi ekonominë ruse, duke rritur ndjeshëm kostot e huazimit për Moskën, duke e dobësuar rublën, dhe reduktuar likuiditetin në ekonominë ruse.

Së dyti, Perëndimi duhet ta sinjalizojë Rusinë për gatishmërinë e tij për të mbyllur “çezmat” e karburanteve fosile ruse. Një veprim i tillë do të kërkonte një sakrificë të madhe nga Uashingtoni dhe aleatët e tij evropianë. Në këtë anë të Atlantikut, zyrtarët amerikane duhet të zvogëlojnë mbështetjen në rritje të Amerikës ndaj naftës së papërpunuar ruse.

Ndërkohë, Gjermania do të duhet të pezullojë projektin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, diçka që kancelarja Angela Merkel nuk ka qenë e gatshme ta bëjë. Zvogëlimi i të ardhurave nga karburantet fosile, do të ndikonte në mënyrë dramatike mbi ekonominë ruse, e cila mbetet e varur nga nxjerrja dhe tregtimi i burimeve të tilla energjitike.

Së fundmi, NATO duhet ta bëjë botërisht të qartë, se një pushtim tjetër i Ukrainës mund të nxisë transferimin masiv të armëve perëndimore drejt Kievit, duke e bërë shumë të kushtueshme çdo përpjekje nga ana e trupave ruse.

Që nga viti 2014, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës më shumë se 2 miliardë dollarë ndihma në fushën e mbrojtjes, përfshirë ndihme një paketë të paralajmëruar kohët e fundit prej 125 milion dollarësh për anije patrullimi, radarë kundër artilerisë dhe pajisje të tjera.

Ndërkohë, aleatët kryesorë të SHBA-së, Gjermania dhe Franca, mund të shpallin synimin e tyre për të bërë më shumë gjithashtu, duke u bashkuar me Britaninë e Madhe në gatishmërinë e saj për t’i siguruar armë dhe aftësi sulmuese Ukrainës.

Ka ardhur koha t’i tregojmë Moskës se po luan me zjarrin. Por Uashingtoni nuk mund të veprojë i vetëm. Gjatë samitit të ardhshëm të qershorit, aleatët e NATO-s duhet të ushtrojnë së bashku fuqinë e tyre parandaluese, teksa e kanë ende atë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al