Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Ukraina dhe BE arrijnë marrëveshjen parimore për zonën e re të tregtisë së lirë

schedule18:00 - 30 Qershor, 2025

schedule 18:00 - 30 Qershor, 2025

Komisioni Evropian ka përfunduar negociatat me Ukrainën mbi modernizimin e Zonës së Tregtisë së Lirë Gjithëpërfshirëse dhe të Thelluar (DCFTA) mes BE-së dhe Ukrainës. Marrëveshja e re përqendrohet në tre shtylla kryesore: barazia e kushteve të konkurrencës, një klauzolë të fuqishme mbrojtëse dhe forcimin e shkëmbimeve tregtare.

Barazia e kushteve — Qasja e re e Ukrainës në tregun evropian do të varet nga përafrimi i saj i gradual me standardet e BE-së, përfshirë mirëqenien e kafshëve, përdorimin e pesticideve dhe barnave veterinare. Ukraina do të jetë e detyruar të raportojë çdo vit mbi përparimin e bërë. Ky mekanizëm është në përputhje me procesin e saj të integrimit dhe përafrimit me legjislacionin e BE-së (acquis communautaire).

Klauzola mbrojtëse — Të dyja palët do të kenë mundësinë të aktivizojnë një mekanizëm mbrojtës nëse importet shkaktojnë pasoja negative për ekonominë e njërës prej tyre. Në rastin e BE-së, vlerësimi i ndikimeve mund të bëhet në nivel të një ose disa shteteve anëtare.

Forcimi i shkëmbimeve tregtare — Marrëveshja e rishikuar synon të balancojë mbështetjen për eksportet ukrainase drejt BE-së me shqetësimet e sektorëve të ndjeshëm të BE-së, veçanërisht në bujqësi. Për produktet më të ndjeshme si sheqeri, mishi i pulës, vezët, gruri, misri dhe mjalti, janë rënë dakord rritje modeste në krahasim me marrëveshjen e mëparshme. Për disa produkte të tjera, është rënë dakord për zgjerim të mëtejshëm, ndërsa për produktet jo të ndjeshme do të aplikohet liberalizim i plotë.

Palët kanë rënë gjithashtu dakord të shqyrtojnë masa që do të ndihmojnë eksportuesit ukrainas të rikthehen në tregjet e tyre tradicionale në vendet e treta.

BE dhe Ukraina gjithashtu do të rishikojnë situatën në funksion të përparimit në integrimin ekonomik dhe perspektivës së anëtarësimit të Ukrainës në BE. Tashmë do të punohet për finalizimin teknik të marrëveshjes.

Marrëveshja e Asociimit mes BE-së dhe Ukrainës, që përfshin edhe zonën e tregtisë së lirë, u negociua ndërmjet viteve 2007–2011 dhe u nënshkrua më 21 mars dhe 27 qershor 2014.

Pas agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës, BE-ja i ka ofruar Ukrainës lehtësira tregtare përmes masave të përkohshme, duke e liberalizuar tregtinë në mënyrë të njëanshme. Këto masa, në fuqi që nga 4 qershori 2022, janë rinovuar dy herë dhe do të jenë aktive deri më 5 qershor 2025, kur do të zëvendësohen nga masa kalimtare.

Në ditët në vijim, shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian do të informohen mbi hollësitë e marrëveshjes. Komisioni pritet të miratojë një propozim vendimi për Këshillin e BE-së, i cili duhet ta ratifikojë marrëveshjen, përpara se ajo të miratohet formalisht nga Komiteti i Asociimit BE-Ukrainë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!