Ukraina dëshiron të vazhdojë zbatimin e marrëveshjes së grurit të Detit të Zi

schedule20:59 - 17 Korrik, 2023

schedule 20:59 - 17 Korrik, 2023

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dëshiron të vazhdojë zbatimin e marrëveshjes së grurit të Detit të Zi.

“Pas marrjes së sinjalit zyrtar të Rusisë (për pezullimin e marrëveshjes së grurit), kam udhëzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme që të përgatisë sinjalet tona zyrtare për OKB-në dhe Turqinë, në mënyrë që unë, president i Ukrainës, të marr përgjigje nëse ata janë gati të vazhdojnë iniciativën”, u tha Zelenskyy gazetarëve afrikanë në një intervistë.

Zelenskyy tha se marrëveshja e grurit përbëhet nga dy marrëveshje.

“Ne kishim dy marrëveshje, një ndërmjet Ukrainës, Turqisë dhe OKB-së dhe një tjetër ndërmjet Rusisë, Turqisë dhe OKB-së. Prandaj, kur Rusia thotë se po ndalon, ajo po thyen marrëveshjet e saj me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së dhe presidentin turk. Jo me ne. Ne nuk kemi pasur asnjë marrëveshje me Rusinë”, tha Zelenskyy.

Ai tha se “çdo gjë duhet bërë” në mënyrë që korridori i grurit të përdoret.

“Ne nuk kemi frikë. Neve na u afruan kompani që zotërojnë anije. Ata thanë se janë gati, nëse Ukraina i lë ata të vazhdojnë dhe Turqia vazhdon t’i lë ata, atëherë të gjithë janë të gatshëm të vazhdojnë furnizimin me grurin”, shtoi ai.

Më herët, Kremlini njoftoi se Rusia ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në Iniciativën e Grurit të Detit të Zi, e cila skadoi sot.

Marrëveshja, e nënshkruar fillimisht në muajin korrik të vitit të kaluar në Stamboll nga Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina, kishte për qëllim rifillimin e eksporteve të grurit nga tre portet ukrainase të Detit të Zi. Këto eksporte ishin ndaluar si rezultat i luftës ruso-ukrainase, e cila filloi në shkurt të vitit 2022.

Më 18 maj, marrëveshja u zgjat edhe për 60 ditë të tjera, duke siguruar vazhdimin e eksporteve të grurit sipas marrëveshjes.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!