Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Ukraina, bisedime në Abu Dhabi/ Tryeza e parë SHBA-Rusi-Ukrainë që pas nisjes së luftës

schedule18:52 - 23 Janar, 2026

schedule 18:52 - 23 Janar, 2026

Delegacionet nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur zyrtarisht bisedimet tripalëshe në Abu Dabi pasditen e kësaj të premteje, me qëllim për të vendosur paqe në konfliktin e nisur 4 vite më parë.

Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët i bashkohen takimit pas një bisede me Vladimir Putin në Moskë, si dhe nga Josh Gruenbaum, një ndër këshilltarët e lartë të Bordit të Paqes.

Nga Ukraina në takim marrin pjesë disa nga zyrtarët e saj të lartë, përfshirë Rustem Umerov, kreun e këshillit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare të Ukrainës, Kyrylo Budanov, kreun e zyrës së Zelensky, negociatorin David Arakhamia dhe shefin e shtabit të përgjithshëm, Andrii Hnatov.



Bisedimet për palën ruse drejtohen nga admirali Igor Kostyukov, zëvendësshef i shtabit të përgjithshëm rus. I dërguari rus i investimeve Kirill Dmitriev është gjithashtu në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe do të mbajë një takim të veçantë me Witkoff.

Takimi trilateral me pjesëmarrjen e Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara vijnë pas takimit të Moskës që të dërguarit amerikanë mbajtën me Presidentin rus Vladimir Putin. Këto bisedime u konsideruan nga Kremlini si të sinqerta dhe konstruktive. Megjithatë, padakordësitë mes Kievit dhe Moskës vijojnë dhe problematika kryesore janë territoret.

Putin theksoi gjatë takimit me Steve Witkoff dhe Jared Kushner se nëse nuk zgjidhet kjo çështje sipas formulës territoriale të rënë dakord gjatë takimit me Donald Trump në Alaska, nuk ka shpresë as për një zgjidhje afatgjatë.

Lideri ukrainas Volodymyr Zelensky tha se pikërisht çështja e territoreve do të jetë një pjesë e rëndësishme e diskutimeve në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ka pak detaje publike në lidhje me bisedimet në Abu Dabi, por Volodymyr Zelensky ka thënë se ato do të zgjasin dy ditë.

Bisedimet vijnë në një moment të vështirë për Ukrainën. Vendi ka qenë nën sulmet ruse që nga fillimi i këtij viti dhe infrastruktura e dëmtuar rëndë ka lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike këto ditë të ftohta dimri.

Ajo që bie sërish në sy është mungesa e zyrtarëve europianë në këto negociata. Presidenti ukrainas e shprehu qartë zhgënjimin e tij me aleatët në kontinent gjatë forumit të Davosit në Zvicër.

Në përgjigje të Zelensky, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se BE ishte mbështetësja më e madhe e Ukrainës.

“Veprimet flasin më shumë se fjalët”, u tha ajo gazetarëve, por pavarësisht kësaj, roli i europianëve vitin e fundit në përpjekjet për arritjen e paqes ka qenë dytësor dhe liderët e kontinentit kanë vepruar vetëm kur situata dukej të ishte emergjente.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!