Ukraina akuzon ushtarët rusë se kanë abuzuar me një 4-vjeçare dhe kanë përdhunuar ngë grup nënën e saj

schedule11:08 - 14 Mars, 2023

schedule 11:08 - 14 Mars, 2023

Ukraina ka akuzuar dy ushtarë rusë se kanë sulmuar seksualisht një vajzë katërvjeçare dhe përdhunuar në grup nënën e saj me armë para babait të saj, si pjesë e akuzave të shumta për abuzim gjatë më shumë se një pushtimi njëvjeçar.

Sipas dosjeve të prokurorisë ukrainase të parë nga Reuters, incidentet ishin në mesin e krimeve seksuale që ushtarët rusë të Brigadës së 15-të kanë kryer në 4 shtëpi të rrethit Brovary pranë kryeqytetit Kiev në mars 2022.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Numrat e telefonit të listuar për brigadën ishin jashtë funksionit.

Dy zyrtarë në Garnizonin e Samaras, pjesë e të cilit është brigada, thanë se nuk ishin në gjendje të jepnin kontakte për njësinë kur u kontaktuan nga Reuters, me një që tha se ishin të klasifikuar.

Ushtarët hynë në Brovary disa ditë pas nisjes së pushtimit, duke plaçkitur dhe përdorur dhunën seksuale si një taktikë të qëllimshme për të terrorizuar popullatën, thanë prokurorët ukrainas.

Shumica e mizorive të supozuara ndodhën më 13 mars, kur ushtarët “në gjendje të dehur nga alkooli, hynë në oborrin e shtëpisë ku jetonte një familje e re”, pretenduan prokurorët.

Babai u rah dhe më pas u detyrua të gjunjëzohej ndërsa gruaja e tij u përdhunua në grup. Një nga ushtarët i tha vajzës katërvjeçare se “do ta bëjë grua” përpara se ajo të abuzohej, sipas dokumentave.

Familja mbijetoi, megjithëse prokurorët thanë se po hetojnë krime të tjera që kanë ndodhur në këtë zonë, përfshirë vrasjet gjatë së njëjtës periudhë, raporton abcnews.al.

Qeveria e Presidentit Vladimir Putin, e cila thotë se po lufton “neo-nazistët” të mbështetur nga perëndimi në Ukrainë, ka mohuar vazhdimisht akuzat për mizori. Ajo gjithashtu ka mohuar se komandantët e saj ushtarakë janë në dijeni të dhunës seksuale nga ushtarët.

Ushtarët ishin të dy snajperë, të moshës 32 dhe 28 vjeç, thuhet në dosje, duke shtuar se i pari kishte vdekur ndërsa i riu, i quajtur Yevgeniy Chernoknizhniy, u kthye në Rusi.

Kur Reuters kërkoi identitetin e të dy ushtarëve, prokurorët dhanë vetëm emrin e të riut. Kur Reuters telefonoi një numër në bazat e të dhënave në internet për të, një person që tha se ishte vëllai i Chernoknizhniy tha se ai kishte vdekur.

“Ai vdiq. Nuk ka mundësi ta kapni”, tha burri duke qarë. “Kjo është gjithçka që mund të them.”

Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte në mënyrë të pavarur pohimin e tij. Dy snajperët ishin në mesin e gjashtë të dyshuarve të akuzuar në sulmet në Brovary, për të cilin prokurorët thonë se është një nga hetimet më të mëdha të abuzimit seksual që nga pushtimi.

Pas sulmit të dyshuar ndaj vajzës dhe prindërve të saj, dy ushtarët hynë në shtëpinë e një çifti të moshuarish në vendin fqinj, ku i rrahën, thanë prokurorët, duke dhunuar gjithashtu një grua shtatzënë 41-vjeçare dhe një vajzë 17-vjeçare, raporton abcnews.al.

Në një vend tjetër ku jetonin disa familje, ushtarët i detyruan të gjithë  të futeshin në kuzhinë dhe përdhunuan në grup një vajzë 15-vjeçare dhe nënën e saj, thanë ata.

Të gjitha viktimat mbijetuan, thanë prokurorët dhe po merrnin ndihmë psikologjike dhe mjekësore. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës thotë se po heton më shumë se 71,000 raporte për krime lufte të marra që kur Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa përtej kufirit.

Hetuesit ukrainas e dinë se probabiliteti i gjetjes dhe ndëshkimit të të dyshuarve është i ulët dhe gjykimet e mundshme do të kryhen kryesisht në mungesë, por ka gjithashtu përpjekje ndërkombëtare për të ndjekur penalisht krimet e luftës, duke përfshirë edhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Ndërsa të dyshuarit nuk ka gjasa të dorëzohen nga Moska, kushdo i dënuar në mungesë mund të vendoset në listat ndërkombëtare vëzhguese, gjë që do ta bënte të vështirë udhëtimin.

Rusia ka akuzuar gjithashtu forcat ukrainase për krime lufte, duke përfshirë ekzekutimin e 10 të burgosurve të luftës. Deri më tani, prokurorët ukrainas kanë dënuar 26 rusë për krime lufte, disa të burgosur lufte, disa në mungesë  nga të cilët njëri për përdhunim.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!