Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi theksoi se debitori më i madh është Ujësjellës Kanalizimet. I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” me gazetaren Genta Dobra, Karakaçi theksoi se për vitin e ardhashëm do të ketë një plan masash, që do të bëjë që këto kompani të rrisin arkëtimet dhe të vazhdojnë pagesat.
“Së pari jam i kënaqur të them se për konsumatorët familjarë dhe të biznesit, niveli i arkëtimit është rritur me 100 për qind. Ne mbledhim faturën aktuale të energjisë elektrike dhe detyrimet e prapambetura muajin e shkuar e mbyllën nivelin e arkëtimit në nivel rekord. Dhe shifrat e Nëntorit tregojnë se jemi mbi 100 për qind.
Institucionet kanë rritur borxhet. Kush është sot debitori më i madh, është ujësjellësi i Kanalizimeve sepse çmimi i ujit është i ulët dhe duhet të rritet që të paguajnë faturat. Po ashtu kompania e OSHEE nuk tregohet me tolerante ndaj këtyre sesa ndaj bizneseve dhe familjarit. Por OSHEE nuk mund të ndërpresë ujësjellësin sepse do të mbesnin qytetet pa ujë të pijshëm.
Shoh se pavarësisht se akoma nuk është bërë viti i reformës, shifrat tregojnë se vlerat e arkëtimet e ujësjellës kanalizimeve në 6 muajt e fundit janë rritur. Ne ulemi vazhdimisht në tryeza pune me Autoritetin Kombëtar të Ujësjellësit, ka një plan masash për 2024 në mënyrë që këto kompani të ujësjellës kanalizimeve të rrisin arkëtimet dhe të vazhdojnë pagesat”, theksoi ai./abcnewsa.l