1400 metra mbi nivelin e detit ndodhet një prej bukurive të rralla të parkut kombëtar Korab Koretnik, ujëmbledhësi i Kallabakut. Rrethuar me pyje të mështeknës dhe bredhit, në një reliev jashtëzakonisht tërheqës, së fundmi po kthehet në një destinacion turistik me vizitorë të shumtë që vijnë thuajse çdo ditë, në veçanti gjatë fundjavës.
Familjarë të ndryshëm nga qytete të Shqipërisë e Kosovës, grupe peshkatarësh, por më së shumti janë grupet rinore që organizohen nga të gjitha anët me destinacion shtegun e ngjyrave, e porta e të cilit është pikërisht liqeni i Kallabakut. Andrit Shehu, me profesion arkitekt, është njëri prej organizatorëve të aktiviteteve promovuese të resurseve turistike të Kukësit. Liqenin e Kallabakut e njeh shumë mirë dhe i bën një prezantim këtij destinacioni.
Fundjavave mbledh shoqrinë e ngrenë kampingun buzë liqenit të Kallabakut për të kaluar një natë.
Me vete marrin kanoe e pajisje të tjera për sportet ujore. I kanë siguruar thuajse të gjitha pajisjet për aktivitete të tilla.
Ujëmbledhësi i Kallabakut është ndërtuar në vitet e komunizmit, pjesë e sistemit të ujitjes për tokat bujqësore të Shishtavecit, por në vitet e mëvonshme ky sistem doli jashtë funksionit dhe prej pak kohësh tashmë ka marrë drejtim tjetër.
Grupe rinore e turistë mbërrijnë në çdo orë të ditës. Qëndrojnë pak e më pas nisen në destinacione të tjera. Përgjithësisht informacionet për destinacionet I sigurojnë nga promocionet që I bëjnë pikërisht aktivistë të tillë siç është edhe Andriti.
Pasioni për natyrën i ka lindur që në fëmijëri e më pas i është zhvilluar edhe për shkak të profesionit si arkitekt.
Ujëmbledhësi i Kallabakut ofron pamje mahnitëse në të gjitha stinët. Në dimër merr një tjetër pamje e me sipërfaqen e ngrirë.
Kukësi ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm ujor. Andriti thotë se kohët e fundit kanë nisur lëvizjet që në këto pasuri ujore të ketë më tepër prezencë të aktiviteteve ujore duke ofruar edhe pajisjet e nevojshme.
Jo vetëm për qëllime turistike, por këto pasuri ujore mund të rikthejnë edhe ekonominë e peshkimit, ekonomi e cila ishte me emër dikur në Kukës.
Në shërbim të nxitjes së turizmit, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka nisur edhe ndërtimi i rrugës automobilistike që lidh rrugën nacionale Kukës-Shishtavec me këtë pjesë turistike.