Uganda urdhërohet të paguajë 325 milionë dollarë për pushtimin e Republikës Demokratike të Kongos

schedule04:28 - 10 Shkurt, 2022

schedule 04:28 - 10 Shkurt, 2022

Uganda është urdhëruar t’i paguajë 325 milionë dollarë Republikës Demokratike të Kongos për rolin e saj në konfliktin atje. Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi vendosi se Uganda kishte shkelur normat ndërkombëtare si një forcë pushtuese midis viteve 1998 dhe 2003.

Gjykatësit zbuluan se Uganda ishte përgjegjëse për vdekjen e 10-15,000 njerëzve në rajonin lindor të Iturit. U zbulua gjithashtu se trupat e Ugandës kishin grabitur ar, diamante dhe lëndë druri raporton “BBC”. Republika Demokratike e Kongos kishte kërkuar 11 miliardë dollarë, por gjyqtarët hodhën poshtë disa pjesë të kërkesës dhe vendosën për një shumë shumë më të ulët.

Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi urdhëroi Ugandën të paguajë pesë këste vjetore prej 65 milionë dollarësh midis 2022 dhe 2026, me këstin e parë që duhet të paguhet në shtator. Uganda kishte argumentuar se miliardat e kërkuara nga Republika Demokratike e Kongos do të shkatërronin ekonominë e saj. Gjykata tha se urdhri i saj do të ishte “brenda kapacitetit të Ugandës për të paguar”.

Në vendimin e saj, gjykata tha: “Dëmshpërblimi i dhënë Republikës Demokratike të Kongos për dëmtimin e personave dhe pronës pasqyron dëmin e pësuar nga individët dhe komunitetet si rezultat i shkeljes së detyrimeve ndërkombëtare nga Uganda”. Republika Demokratike e Kongos ngriti një rast kundër Ugandës në 1999 për akte agresioni të armatosura të kryera kundër saj dhe qytetarëve të saj. Ajo akuzoi ushtarët e Ugandës për plaçkitje dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Grupe të shumta të armatosura kanë bërë kërdinë në Republikën Demokratike të Kongos të pasur me minerale për dekada. Në vitet 1990, trupat nga Uganda dhe Ruanda pushtuan dy herë fqinjin e tyre shumë më të madh, duke punuar me milicitë lokale për të rrëzuar qeverinë. Uganda dhe Ruanda  argumentuan se kishin ndërhyrë për të ndaluar përhapjen e konfliktit në Republikën Demokratike të Kongos e përtej kufijve të saj.

Vendimi i gjykatës është përfundimtar pa mundësi ankimimi, por gjykata botërore nuk ka asnjë mjet për të zbatuar vendimin e saj. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!