UEFA, vizitë në Tiranë për investimet e futbollit

schedule15:50 - 20 Dhjetor, 2018

schedule 15:50 - 20 Dhjetor, 2018

UEFA vjen në Tiranë, në një mbështetje të qartë për Federatën Shqiptare të Futbollit. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Theodhoridhis, vizitoi stadiumin e ri kombëtar dhe foli për arsyet e mbërritjes në Shqipëri.

Një vizitë e tillë padyshim që ka shkaqe të forta. UEFA mbërriti në Tiranë, në personin e vetë Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Theodhor Theodhoridhis, në një shenjë të qartë mbështetjeje për Federatën Shqiptare të Futbollit.

Theodhoridhis, krahu I djathtë i presidentit të UEFA-s, Aleksandar Çeferin, vizitoi stadiumin e ri kombëtar dhe shtëpinë e re të Federatës, në ish-kompleksin Dinamo, ndërsa besohet se në Tiranë ka ardhur edhe për lobim tek qeveria shqiptare.

Federata nuk e ka fshehur se është në konflikt me ekzekutivin lidhur me financimin e stadiumit, por njeriu I UEFA-s e thjeshtoi shumë ardhjen e tij.

Theodhoridhis: “Arsyeja e vizitës sime këtu është që të takoj disa miq të mirë përpara pushimeve, dhe të shikoj ecurinë e punimeve në stadium, dhe në zyrat e reja të Federatës. Duhet të them se jam shumë i impresionuar. Duket si një epokë e re. Unë kam qenë shpesh këtu, kam qenë në “Qemal Stafën” e vjetër, dhe nuk ka krahasim. Po ashtu, jam shumë i lumtur me shtëpinë e Federatës, e cila po hyn në një epokë të re, shumë më moderne, dhe në drejtimin më të mirë të mundshëm”.

Dakord, sekretari i UEFA-s nuk foli për qeverinë, por mos ka të bëjë vizita me kandidaturën e Dukës për në Komitetin Ekzekutiv?

Theodhoridhis: “Jo, vizita ime nuk ka të bëjë me kandidaturën e presidentit për në UEFA. Unë jam sekretari i përgjithshëm dhe duhet të jem i paanshëm. Ka shumë kandidatë dhe unë nuk mund t’i lejoj vetes, që të rri më shumë afër me njërin apo me tjetrin. Ne erdhëm për të mbështetur Federatën për punën e shkëlqyer që ka bërë me stadiumin dhe zyrat e saj”.

Presidenti i Federatës, Duka, që natyrshëm e shoqëroi në çdo hap mikun e tij të rëndësishëm, sqaroi për planet me stadiumin.

Duka: “Ka ardhur të shohë zhvillimin e projektit të nisur, zyrat e reja dhe për të biseduar sesi mund të kemi më shumë aktivitete nga këto investime që po bëjmë. Nuk mund të jetë vetëm finalja e superkupës por edhe aktivitete të tjera”.

Duka pohoi se Federata ka marrë mbështetje nga UEFA për stadiumin e ri të Kukësit, impiant me 6 000 spektatorë, dhe do të shikojë edhe për të tjera, duke i përzgjedhur edhe sipas të ardhurave që mund të përfitohen. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!