Rregullat për prekjen e topit me dorë janë kthyer në një temë diskutimi mes UEFA-s dhe FIFA-s. Në drejtim të këtyre të fundit ka mbërritur para pak ditësh një kërkesë për ndryshimin e rregullores, pasi shpesh ka pakënaqësi për akordimin e penalltive që ndikojnë edhe në rezultatet e ndeshjeve.
Aleksander Ceferin, përmes një shkrese i kërkon homologut të tij të FIFA, Gianni Infantino: “Përpjekja për të përcaktuar në mënyrë rigoroze rastet kur çdo prekje e topit është shkelje ka rezultuar e padrejtë në shumë vendime, të cilat janë pritur me zhgënjim dhe shqetësim në rritje nga komuniteti i futbollit,”
“Unë besoj se kthimi te formulimi i mëparshëm i rregullores, ndoshta i rishikuar dhe integruar nga një dispozitë, e cila nuk lejon që golat të shënohen me një dorë apo krah, është një opsion që duhet të merret parasysh”, shkruhet në shkresën e drejtuar FIFA-s.
Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit është ai që vendos dhe tashmë Infantino ka deklaruar se kërkesa do të shqyrtohet. UEFA ka marrë një përgjigje, që zbulohet sërish nga “The Associated Press”. Rregullorja për prekjen e topit me dorë ka ndryshuar edhe në vitin 2019 dhe thuhej se kishim të bënim me shkelje nëse krahët ishin të hapur dhe në pozicion jo të natyrshëm.
“Kjo nuk është herë e parë dhe ky rregull është në qendër të diskutimeve dhe besoj se nuk do të jetë për herë të fundit. Besoj se intensiteti i debatit mbi këtë fushë të veçantë të lojës tregon më së miri pasionin për sportin tonë dhe hollësitë që e bëjnë atë kaq tërheqës.
Nuk është turp të pranosh që ndonjëherë vendimet që merren për mirë nuk i arrijnë objektivat e tyre dhe më pas të rishikohen. Propozimi i është përcjellë skuadrave përgjegjëse brenda administratës së FIFA-s dhe kanë kërkuar që t’i bëhet e ditur IFAB-it dhe t’i paraqitet organeve përkatëse.
Prekja e topit me dorë do të përfshihet në rendin e ditës (FIFA do të ketë takimin vjetor në fillim të vitit 2021). Fokusi ynë nuk duhet të jetë vetëm drejt marrjes në konsideratë të ndryshimeve të propozuara, por edhe drejt vlerësimit se sa efikas do të jenë ndryshimet e bëra”. /abcnews.al