UEFA development U-16 për djem/ Përfundon sfida e parë e Kombëtares, Shqipëria “shpërfytyron” 9 me 0 Belizenë

schedule16:54 - 2 Mars, 2024

schedule 16:54 - 2 Mars, 2024

Janë zhvilluar sot ndeshjet e para të turneut “UEFA development” U-16 për djem, që organizohet nga FSHF në datat 2-7 mars me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Kosovës, San Marinos dhe Belizes.

Shqipëria U16 fitoi takimin e parë ndaj Belizes me rezultatin e thellë 9-0. Kuqezinjtë dominuan takimin dhe që në pjesën e parë shënuan tre gola me Kris Gecajn, Leon Darius Myrtaj dhe Serxho Voglin, ndërsa në fraksionin e dytë realizuan Flavio Shkëmbi x3,  Rayan Neziri x2 dhe Milan Kovac.

Trajneri Ardi Behari hodhi në fushë këtë formacion startues: Daniel Culi (GK), Darli Kurti, Kris Gecaj (C), Fabian Nuhaj, Milan Kovaci, Alex Ramku, Ernesto Marqeshi, Serxho Vogli, Emiljano Mihana, Leon Darius Murtaj, Jordan Luan Kinnavong.

Ndeshja nisi shumë mirë për Shqipërinë që zhbllokoi rezultatin që në minutën e katërt me Kris Gecajn.

Tre minuta më vonë, Leon Darius Myrtaj fitoi një penallti dhe e shndërroi vetë në gol, duke i çuar shifrat në 2-0. Në pjesën e parë Shqipëria realizoi edhe një tjetër gol me Serxho Voglin në minutën e 32-të.

Edhe fraksioni i dytë nisi me të njëjtin ritëm për kuqezinjtë që shënuan golin e katërt në minutën e 50-të me Flavio Shkëmbin. Sërish Shkëmbi gjeti rrugën e rrjetës në të 60-ën duke realizuar edhe golin e pestë.

Ndërsa Rayan Neziri shënoi golin e gjashtë në të 72-ën dhe në të 80-ën realizoi sërish duke e çuar rezultatin në shifrat 7-0.

Golin e tetë e realizoi Milan Kovac i cili goditi saktë me kokë nga brenda zonës, ndërsa Flavio Shkëmbi shënoi golin e nëntë në fundin e takimit duke vulosur fitoren spektakolar të Shqipërisë në turneun “UEFA Development”.

Po sot në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua takimi San Marino-Kosovë. Koha e rregullt e këtij takimi përfundoi në barazim me rezultatin 2-2, ndërsa Kosova fitoi 6-5 me penallti.

Ndeshjet e dyta të turneut “UEFA Development U-16” do të zhvillohen më datë 4 mars. Takimi i parë i ditës në “Shtëpinë e Futbollit” do të jetë Belize-San Marino në orën 11:30, ndërsa Shqipëria dhe Kosova do të përballen së bashku në orën 14:30.

Turneu “UEFA Development U-16” do të ulë siparin më datë 7 mars me ndeshjet e fundit. Sfida e parë në “Shtëpinë e Futbollit” do të jetë Kosovë-Belize në orën 11:30, ndërsa Shqipëri-San Marino do të luhet në orën 14:30. /FSHF

Kalendari i turneut dhe rezultatet:

Ndeshjet e para (2 mars)

San Marino-Kosovë                      2-2   P(5-6)

Shqipëri-Belize                               9-0

Ndeshjet e dyta  (4mars)

Belize-San Marino                      Shtëpia e Futbollit, ora 11:30

Shqipëri-Kosovë                         Shtëpia e Futbollit, ora 14:30

Ndeshjet e treta (7 mars)

Kosovë-Belize                             Shtëpia e Futbollit, ora 11:30

Shqipëri-San Marino                  Shtëpia e Futbollit, ora 14:30

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!