Udhëtonin në makinë me persona që nuk kanë lidhje familjare, policia gjobit 136 qytetarë

schedule17:18 - 25 Shkurt, 2021

schedule 17:18 - 25 Shkurt, 2021

Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë gjobitur 136 persona të cilët udhëtonin me makinë me individë me të cilët nuk kishin lidhje familjare pa vendosur maskat mbrojtëse. Ndërsa 770 të tjerë janë ndëshkuar për shkak se kanë dalë në rrugë pa maskë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 10 persona që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.  Gjoba për shkak të lëvizjes pa maskë në makinë me persona që nuk ke lidhje familjare, nuk është evidentuar përgjatë kohëve të fundit nga autoritetet shëndetësore, dhe as nga policia në njoftimet e bëra për media. Por duket se me rritjen e rasteve ka nisur një ashpërsim i kësaj mase për shkak të rritjes së kontrolleve për persona pa maskë jo vetëm në rrugë por edhe në automjete private.

“Nuk zbatuan masat anticovid, ndëshkohen me masë administrative 917 qytetarë, 906 prej tyre për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 770 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 136 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, administratorin e një subjekti që është konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë.  Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 10 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.  Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19”, njofton policia./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!