Lideri i Hezbollahut, Sayed Hassan Nasrallah, mbajti një fjalim në lidhje me situatën në Gaza. Është hera e parë që lideri i organizatës me qendër në Liban flet publikisht për zhvillimet në rajon pas shpërthimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Hassan Nasrallah filloi fjalimin e tij duke lavdëruar “dëshmorët e rënë” të Hezbollahut dhe grupeve të tjera që luftojnë Izraelin, si dhe civilët që u vranë. Në të njëjtën kohë, ai e quajti Izraelin budalla.
“Po e filloj fjalimin duke u shprehur ngushëllimet më të thella familjeve të të rënëve këtu në Liban dhe në të njëjtën kohë ju përgëzojmë pasi të dashurit tuaj kanë fituar nderin e martirizimit”, tha ai.
Nasrallah tha se Hezbollahu filloi përleshjet më 8 tetor, një ditë pas sulmit të befasishëm të Hamasit në Izraelin jugor. Ai tha se shkëmbimi i përditshëm i zjarrit me forcat izraelite përgjatë kufirit libanez mund të duket modest, por është shumë domethënës, duke përmendur një shkëmbim zjarri të paprecedentë që nga viti 1948. Nasrallah gjithashtu konfirmoi se 57 luftëtarë të Hezbollahut janë vrarë deri më tani.
Siç tha ai, përshkallëzimi i mëtejshëm i operacioneve në kufirin izraelito-libanez është një mundësi e fortë. Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje të tjera për ndonjë mobilizim të luftëtarëve.
Sipas Sky News, Nasrallah nuk po mban një fjalim personalisht dhe se bëhet fjalë për një transmetim nga një vend i panjohur pasi ai ka frikë nga mundësia e atentatit dhe njohja e vendndodhjes së tij. Ai nuk është parë në publik që nga viti 2011. /abcnews.al