Rusia ka refuzuar të gjitha ofertat e bëra nga SHBA deri më tani për lirimin e dy amerikanëve të mbajtur në atë vend, përfshirë gazetarin Evan Gershkovich.
Kështu tha këtë të enjte zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, duke i bërë thirrje presidentit Putin që të “negociojë me mirëbesim”.
“Ne kemi bërë shumë propozime. Është një propozim i rëndësishëm që kemi bërë disa javë më parë,” u tha zëdhënësi gazetarëve, duke theksuar se Moska i kishte “refuzuar” të gjitha. Zëdhënësi kundërshtoi deklaratat e presidentit rus më herët gjatë ditës së sotme, i cili tha se po “shpresonte” për një marrëveshje me Uashingtonin për këtë çështje.
“Ne dëshirojmë sinqerisht një marrëveshje” me Rusinë për lirimin e gazetarit Evan Gershkovich, gjyqësori rus i të cilit vendosi të vazhdojë ndalimin e tij, si dhe ish-marinsin Paul Whelan, tha Miller.
“Ne do të ishim të lumtur që ata të negocionin në mirëbesim. Do të ishim të lumtur që ata të diskutonin seriozisht me ne, por deri më tani kemi parë që ata të refuzojnë propozimet tona,” shtoi ai. “Vladimir Putin tani duhet të “vijë në tryezë” në negociata dhe “të na ndihmojë të arrijmë një marrëveshje”.
Shtetet e Bashkuara nuk pranuan të zbulojnë përmbajtjen e kësaj oferte për Rusinë, por amerikanët dhe rusët kanë bërë disa shkëmbime të burgosurish në të kaluarën.
Evan Gershkovich, një reporter amerikan për Wall Street Journal i cili ka punuar për AFP në Moskë në 2021 dhe 2022, u arrestua nga shërbimet ruse të sigurisë gjatë një raporti në Yekaterinburg, Urals, më 29 mars 2023. Ai mbahet në burgun Lefortovo në Moskë. Gazetari akuzohet për spiunazh, një krim i dënueshëm me 20 vjet burg, por ai i mohon akuzat, ashtu si edhe Uashingtoni, gazeta e tij, miqtë dhe familja e tij.
Duke iu referuar në përgjithësi fjalimit të presidentit rus dhe luftës në Ukrainë, zyrtari amerikan tha se Vladimir Putin “nuk ka treguar aftësi apo vullnet për të negociuar. Në fakt, ai konfirmoi këtë të mërkurë se qëllimet e tij për rezultatin e këtij konflikti nuk kanë ndryshuar, në në çdo mënyrë“./abcnews.al