U zyrtarizua si trajner i “Demave të Kuq”, Abilaliaj: Kemi synime të mëdhaja, projekti është nisur dy vite më parë

schedule16:17 - 19 Nëntor, 2023

schedule 16:17 - 19 Nëntor, 2023

Pas më shumë se 1 muaj pa një trajner stabël, “Demat e Kuq” të Partizanit kanë prezantuar, këtë të shtunë, në ambientet e “Arenës së Demave”, teknikun e ri të kampionëve në fuqi të Shqipërisë, i cili është ish-“bomberi” vlonjat, ish-Drejtori Sportiv i klubit, Arbër Abilaliaj, me këtë të fundit, që në 5 ndeshjet e para me “të kuqtë” ka regjistruar 5 fitore.

Pas prezantimit të vlonjatit në krye të stolit të “Demave”, përveç Presidentit, Gaz Demi, di sa fjalë i tha edhe tekniku Arbër Abilaliaj, i cili shpjegoi se projekti me “të kuqtë” ka nisur para dy vitesh ndërsa shtoi se ambienti i kryeqytetasve është i duhuri për të marrë rezultatet e dëshiruara dhe titullin e dytë kampion radhazi.

“Dua të falenderoj familjen e kuqe dhe presidentin Demi për mbështetjen, për të gjithë këtë muaj. Ka qenë një projekt i nisur dy vite më parë, për të ndërtuar një ekip risi në kampionatin shqiptar dhe që paraqitej denjësisht në kompeticionet europiane. Jam ndjerë si në shtëpi, ndjehem që mund të jap shumë nga vetja dhe mund të arrijë shumë. Kemi bërë një pjesë të rrugës, është një proces i gjatë dhe synimet janë të mëdha.

Vetëbesimi për të bërë mirë në këtë ambient me njerëzit që na rrethojnë është i duhuri dhe arritja e këtyre rezultateve ka ardhur në një mënyrë shumë natyrale. Por, është vetëm fillimi i një rruge të gjatë sepse zhvillimi i klubit dhe futbollistëve do të dojë kohën e vetë. Shpresoj që në këtë rrugë të vijnë edhe rezultatet që të gjithë dëshirojmë.

Në asnjë moment nuk është ndjerë presioni që mund të më frenojë, ka pasur prezion pozitiv dhe ai duhet për të ecur përpara. Kjo është diçka e mirë jo vetëm për trajnerin por edhe për secilin pjesëtar deri te lojtarët për të bërë mirë jo vetëm në kampionat, por edhe në pjesëmarrjet europiane.

Jemi një nga skuadrat që në verë kemi punuar me kujdes, dhe duke parë afrimet që kemi bërë na kanë ndihmuar shumë. Kemi pasur mungesa, por ato nuk janë ndjerë. Futbollistët që po riaftësohen nga janari mund të konsiderohen si blerje të reja, mund të ndërhyjmë në merkato, por me shumë kujdes ndoshta në një pozicion.

Objektivi ka qenë që ekipi të ishte i konsoliduar nga qershori në qershor dhe të bëjmë një sezon europian edhe më të mirë se ai i fundit. Synimi ka qenë që të dominojmë çdo ndeshje, nuk e kemi menduar vendin e parë, në interesin tonë ka qenë që futbollistët ta kuptojnë që është një proces i gjatë. Nëse shprehesh mirë, rezultate do të vijnë”,- u shpreh 37-vjeçari vlonjat. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!