I vendosën bombë, zbardhet dëshmia e prokurorit dhe itinerari i makinës, autori me kaskë

schedule19:50 - 12 Mars, 2021

schedule 19:50 - 12 Mars, 2021

Nga Xhensila Kodra

Shpërthimi me tritol në makinën e prokurorit Arjan Muça është fiksuar nga dy kamera sigurie. Makinën, ai e kishte parkuar 4 orë para se të ndodhte ngjarja. Policia ka dyshimet se lënda plasëse është vendosur brenda parkimit të nëndheshëm në zonën e Komunës së Parisit.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur një person i veshur me të errëta e me kaskë në kokë afrohet pranë makinës “Mercedes Benz” dhe vendos lëndën plasëse. Pasi është larguar prej andej, është kryer edhe shpërthimi me rreth 150 gr tritol.

Grupi hetimor ka dyshimet se ngjarja është një kërcënim për shkak të punës që kryen në sistemin e drejtësisë, çifti i bashkëshortëve, Arjan dhe Gentiana Muça. Aktualisht, Arjani ushtron funksionin e inspektorit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa bashkëshortja gjyqtare në Administrativen e Tiranës.

Pas marrjes së tyre në pyetje, policia ka të qartë itinerarin që ka ndjekur mjeti. Mëngjesin e së enjtes, Gentiana Muça pasi ka shoqëruar të shoqin për në punë, mjetin e ka parkuar pranë Apelit Administrativ. Pas pune, ajo ka shkuar sërish të marrë bashkëshortin. Ata janë ulur për të drekuar në një lokal pranë Stadiumit Dinamo. Pasi e kanë parkuar makinën në katin -2, mjeti është marrë sërish nga djali i tyre, i cili e ka mbajtur për rreth 2 orë në lëvizje.

Në deklaratat e dhëna para policisë, Arjan dhe Gentiana Muça kanë mohuar të kenë konflikte me njeri. Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrave që ata kryejnë. Për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kjo është një ngjarje terroriste.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën numër një të Këshillit.

Çiftit të magjistratëve Arjan dhe Gentiana Muça, si dhe familjes së tij u është dhënë mbrojte e posaçme policore. Ndërsa hetuesit nuk kanë mundur të bien në gjurmët e autorit./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!