“U trishtova shumë”, Armand Duka: Lamtumirë President Nishani

schedule17:28 - 28 Maj, 2022

schedule 17:28 - 28 Maj, 2022

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mikut të tij, ish-Presidentit Bujar Nishani. Duka shprehet se do ta kujtojë gjithmonë si një tifoz të madh të Kombëtares teksa sjell në vëmendje EURO 2016, kur Nishani mbështeti Shqipërinë.

Duka: Të dashur miq, U trishtova shumë kur mësova pak minuta më parë se miku im, Presidenti Nishani, është ndarë nga jeta. Bujar Nishanin do ta kujtoj gjithmonë si një burrë të urtë e të mencur, një dashamirës futbolli dhe tifoz i madh i Kombëtares. Nuk mund ti harroj momentet e bukura që kaluam së bashku në EURO 2016 ku nuk mungoi asnjë moment në mbështetje të kuqezinjve. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Presidentit Nishani dhe miqve të tij të shumtë. Lamtumirë President Nishani.”

Ish-Presidenti i Republikës, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, një muaj pasi ishte shtruar në gjendje të rëndë në një spital në Gjermani. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.

Siç ka raportuar Abcnews.al Nishani u paraqit në Sanatorium me shenja pneumonie në të dyja mushkëritë për shkak të kalimit të koronavirusit, i cili kishte lënë pasoja të tjera shëndetësore. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, më 22 prill, Nishani u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit pranë familjarëve në moshën 56 vjeçare.

Burime për Abc bënë me dije se Nishani ka pasur fibrozë post COVID, të cilat i kanë shkaktuar ulje të nivelit të oksigjenit në gjak si edhe parametra të tjera problematikë duke bërë të domosdoshme dërgimin e tij jashtë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!