“U tregua brutal”, Van Persie zbulon se si Van Gaal e përzuri nga United

schedule12:58 - 21 Prill, 2020

schedule 12:58 - 21 Prill, 2020

Robin Van Persie la Arsenalin në vitin 2012 për t’u transferuar te Manchester United. Aventura e ish-sulmuesit në “Teatrin e Ëndrrave” nuk zgjati më shumë se tre sezone për shkak të… Louis Van Gaal. Me trajnerin e njohur holandez kishte punuar te kombëtarja dhe në vitin 2014, menjëherë pas përfundimit të Botërorit të Brazilit, u bashkuan sërish te United.

Atë sezon shënoi 10 gola dhe në fund të tij erdhi largimi nga Premier League. Van Persie zbulon gjithçka në një prononcim për Voetball, teksa “gjenerali” Van Gaal e detyroi të largohet nga “Djajtë e Kuq” në moshën 31-vjeçare. “Pata një bisedë me Van Gaal pas sezonit tonë të parë së bashku te Manchesteri. ‘Robin, rrugët tona do të ndahen. Unë jam trajneri, ti je lojtar dhe duhet të largohesh. Koha jote ka mbaruar’, ishin fjalët që më tha.

 

Van Gaal dhe Van Persie

I thashë që kisha akoma kontratë me klubin, por ai m’u përgjigj se nuk i plaste për një gjë të tillë. Ishte i pamëshirshëm, nuk e dija se ishte kaq brutal. Shumë gjëra të kalojnë në kokë pasi dëgjon fjalë të tillë. Kisha kontratë me United, familja ime gjendej për mrekulli në Angli, aty ku jetonim prej 11 vitesh.

U çova, i dhashë dorën dhe u largova prej aty. Nuk më lejuan të merrja pjesë në ndeshje në fazën përgatitore. Më jepnin një top dhe më kërkonin të stërvitesha vetëm. Përpiqesha shumë të ruaja qetësinë. Ndoshta do të ishte mirë sikur të kisha biseduar me dikë jashtë rrethit tim, por isha shumë kokëfortë për këtë, kështu që vendosa të shkoj në Fenerbahce”, përfundon Van Persie. /abcnews.al