Dy emigrantë shqiptarë janë gjobitur nga pala greke në Kakavije ndërsa po ktheheshin për në Atdhe. Ata janë gjobitur pavarësisht marrëveshjes mes vendeve që shkeljet e afateve mos merren në konsideratë në këtë periudhë koronavirusi.
Dy shqiptarët janë shprehur se janë gjobitur me nga 1900 euro nga pala greke për tejkalim të afatit 90 ditor të qëndrimit në zonën SHENGEN. Vula dhe gjoba e vendosur mban datën e sotme në pasaporta, 9 Prill 2020.
Ndërkohë që 21 shqiptarë të tjerë janë gjobitur me nga 150 euro për shkak të thyerjes së rregullave të karantinës të vendosura nga qeveria greke, pra lëvizin pa autorizim, pa njoftuar autoritetet.
Në javën e fundit situata në kufirin me Greqinë në Kakavijë ka qenë mjaft problematike, ndërsa kryeministri Edi Rama sqaroi për shqiptarët e mbetur jashtë atdheut se kufijtë janë mbyllur për të frenuar COVID-19 dhe se asnjë shqiptar që është rezident jashtë, nuk do të lejohet të futet brenda kufirit tonë.
Gjithsesi, për shqiptarët që ndodhen jashtë shtetit dhe nuk mund të kthehen për shkak të mbylljes së kufijve, ishte dhënë garancia se nuk do të penalizoheshin.