U shpall “non grata” nga SHBA, reagon Gruevski: Ka lobuar qeveria aktuale

schedule21:47 - 11 Prill, 2022

schedule 21:47 - 11 Prill, 2022

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski ka reaguar pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “non grata”.  Gruevski i cili aktualisht është azilkërkues në Hungari beson se qeveria aktuale ka lobuar në administratën amerikane në vendimin e sotëm që ai të futet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara. Ai shpreh keqardhje për vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Përpjekjet e mia afatgjata për ta zgjidhur çështjen e emrit në një mënyrë të ndryshme nga ajo që u zgjidh përfundimisht, vendimet lidhur me krizën e imigrantëve dhe mbylljen e korridorit ballkanik në vitin 2016 dhe disa vendime të tjera me të cilat u përpoqa të mbroja shtetin dhe interesat kombëtare të Maqedonisë ka acaruar disa vende dhe më kanë tërhequr shumë kundërshtarë, si George Soros, i cili bëri shumë përpjekje dhe financime për të rrëzuar qeverinë që unë e drejtova”, ka shkruar Gruevski.

Sipas tij, akuzat janë informacione të pasakta. “Nga ky aspekt, edhe pse nuk kam asnjë pronë në SHBA, ndjej padrejtësi të madhe sepse kam punuar me shumë ndershmëri dhe me shumë përgjegjësi duke luftuar për interesat shtetërore dhe kombëtare dhe jam përpjekur me aq sa kam mundur të mos i rrezikoj interesat e aleatët e Maqedonisë. Asnjëherë nuk kam punuar për interesa personale financiare apo materiale”, tha Gruevski.

SHBA-të kanë futur në listën e zezë Nikolla Gruevskin dhe Sasho Mijallkovin.