Phil Foden ishte padyshim lojtari kryesor i Manchester Cityt në sezonin që lamë pas me fantazistin që jo më kot u shpall në fund edhe si “Lojtari i Sezonit” në Premier League. Foden zhvilloi në total 57 ndeshje këtë sezon duke realizuar plot 27 gola dhe 12 asistë, teksa drejtuesit e “The citizens” kanë nisur tashmë të mendojnë rinovimin e kontratës së 24-vjeçarit për të mbajtur larg klubet e tjera të Europës.
Kontrata aktuale e Foden skadon në vitin 2027, ndërsa nëse gjehet gjuha e përbashkët atëherë palët do të zgjasnin bashkëpunimin deri në vitin 2030.
Sipas “The Sun”, nëse Foden e nënshkruan këtë kontratë atëherë do të shndërrohej menjëherë në britanikun më të paguar në histori teksa rroga e tij do të kapërcente nga 200.000 paund në javë që përfiton aktualisht, në 375.000 paund në javë./ h.ll/abcnews.al