U shkarkua për mos përmbushje të objektivave? Gledis Nano: Nuk kam frikë…gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh

schedule12:08 - 1 Shtator, 2022

schedule 12:08 - 1 Shtator, 2022

Një ditë pasi u shkarkua nga detyra, Gledis Nano ka bërë një deklaratë përshëndetëse për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që e mbajti për 10 muaj.  Ai ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, drejtuesit dhe ekspertët e organizmave partnere ndërkombëtare, përfaqësuesit e mediave dhe anëtarët e komunitetit.

Teksa ministri Çuçi tha dje se Nano u shkarkua për mos përmbushjen e objektivave, ky i fundit përmendi një shprehje të ish kryeministrit të Izraelit, Shimon Peres që e cilëson si një nga mendjet më të ndritura të politikës botërore.

“Gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh. Gjëja më e ndërlikuar në jetë është të kesh frikë. Por, më e zgjuara në botë është përpjekja për të qenë një person me moral”, shkruan Nano.

Lexo edhe: Ervis Martinaj, zgjedhjet dhe “lufta” e shtatorit: Çfarë ia “hëngri” kokën Gledis Nanos

Largimi i Gledis Nanos nga drejtimi i Policisë së Shtetit erdhi në një kohë kur po zhvillohen paralelisht “telenovela” e zhdukjes së Ervis Martinajt; vrasje pafund nga dita në ditë si edhe futja në periudhën që paraprijnë zgjedhjet lokale në vend.

Përpos thënieve dhe kundërthënieve gjatë ditëve të fundit mbi dorëheqjen, shkarkimin apo shkarkimin me dorëheqje të Nanos nga Policia e Shtetit, duket qartë se ka patur një konflikt të hapur mes tij dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi. Ky i fundit nuk e ka dashur asnjëherë Nanon në krye të Policisë së Shtetit edhe pse ishte një person që u sponsorizua shumë nga amerikanët në atë detyrë.

Reagimi i menjëhershëm i ambasadës amerikane në lidhje me largimin e Nanos nga detyra ishte mesazhi i drejtpërdrejt i tyre në lidhje me këtë vendim të qeverisë për të zgjedhur dikë tjetër, pjesë të kastës, në krye të Policisë së Shtetit.

Fjala e Gledis Nanos: 

Tiranë më 01 Shtator 2022

Lënda: Fjalë përshëndetëse.

Drejtuar:
Të nderuar, kolegë, kudo ku gjendeni sot, në krye të detyrës në çdo skaj të vendit,
Të nderuar drejtues dhe ekspertë të organizmave partnere ndërkombëtare,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar anëtarë të komunitetit,

Ju drejtohem, ashtu si në ditën kur i përzgjedhur nga radhët e policisë, mora detyrën e vështirë të Drejtuesit të Policisë së Shtetit. Sjell ndërmend se gjendesha pikërisht në momentin e duhur, kur besova edhe më fort se së bashku na priste një udhë aspak e lehtë, me sfida jo të pakta por që mbi të gjitha, sot mendoj me bindje të thellë se ia vlente vërtet që ta përshkonim atë së bashku.
Jeta është ndërtuar e tillë, me ligje të pandryshueshme të ardhura nga kohërat, në të cilën kuptojmë se ashtu si në çdo fillim, njeriu duhet të shohë e të mendojë edhe për fundin e çdo rrugëtimi, nga njëri prej të cilëve, më duhet sot të shkruaj faqen e tij përmbyllëse.

Pikërisht në ditën e sotme, në fjalën time falënderuese për gjithsecilin prej jush, nuk kam ndërmend aspak të bëj një analizë të punës sime si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, përkundrazi atë mund ta bëjë fare mirë dhe lehtësisht secili prej jush, çdo profesionist me përvojë brenda apo jashtë radhëve të policisë si edhe çdo qytetar i thjeshtë, i cili beson tek autoriteti i policisë, sikurse Policia e Shtetit, beson dhe mbështetet tek integriteti i gjithsecilit prej anëtarëve të komunitetit.

Në punën time, nuk më ka mjaftuar vetëm përvoja e fituar nga vitet por edhe modelet e ndërtuara nga shumë prej personaliteteve madhorë të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku njëri prej tyre mbetet edhe një nga mendjet më të ndritura të politikës botërore; Shimon Peres. Prej tij kam mësuar dhe nuk e kam harruar për asnjë çast thënien se: “Gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh. Gjëja më e ndërlikuar në jetë është të kesh frikë. Por, më e zgjuara në botë është përpjekja për të qenë një person me moral”.

Askush nuk mund ta ndërtojë personalitetin e tij nëpërmjet postit që mund t’i ofrohet! Për cilindo këto janë periudha të përkohshme që nëse arrin ta mbyllë më nder dhe vlerësim që nga qytetari më i thjeshtë, deri tek partnerët më strategjikë, atëherë çdokush prej nesh ka fituar vetveten.

Në mënyrë të veçantë, postet drejtuese janë dhe do të mbeten një provë karakteri për të gjithë ata që marrin përsipër detyrat e vështira dhe me përgjegjësi të lartë shoqërore. Ajo që ka një rëndësi parësore në këtë aspekt është ruajtja e tipareve identitare, thënë më qartë, mos tjetërsimi dhe qëndrueshmëria mbi parimet me të cilat jemi mbrujtur qysh në bankat e shkollës deri në ditën kur kemi bërë betimin përpara flamurit kombëtar, besnikëria ndaj të cilit mbetet akti më i vështirë por edhe më i çmuari!

Njeriu do të mund të mbahet mend, për gjurmët që ka lënë pas, si edhe për ndihmën që ka mundur të përçojë në dobi të komunitetit ku bëjmë pjesë.

Pa diskutim që në një sfond gati të padukshëm, sidomos për punonjësit e policisë dhe drejtuesit e saj, një vend dhe rol të vendimtar por të pashpërblyer me çfarëdolloj stimuli, luajnë familjet e tyre. Familja, mbetet streha dhe vatra më e përkushtuar e cila me mbështetjen dhe sakrificat e pashembëllta që i kushton familjarit të saj, i cili ka marrë përsipër një mision aspak të lehtë, arrin t’i japë shoqërisë një dimension fisnik dhe të pakrahasueshëm! Veçanërisht ajo, meriton respektin dhe nderimin më të madh për të cilën nuk do të gjendej a të mjaftonte dot një fjalë apo një gjest i vetëm, por mbi të gjitha do të duhet ndërgjegjësimi i shoqërisë, instancave apo edhe i organizmave që funksionojnë në mbrojtje të saj, për një vëmendje dhe respekt për shembullin e pashembëllt që ato përcjellin në zhvillimet e sotme social – edukuese. Tek mbështetja e vazhdueshme dhe e pakursyer që kam marrë nga familja ime, e cila jo vetëm gjatë kësaj periudhe tepër të ngarkuar por përgjatë gjithë karrierës sime në polici, më ka mbështetur e qëndruar pranë, vetvetiu, kam parë dhe njohur përkushtimin e familjeve të çdo kolegu apo punonjësi policie. Ishte dhe mbetet familja ime, që duke pranuar ndër të tjera edhe mungesën time të gjatë e të përsëritur pranë saj, burimi që shndërrohet në forcë dhe motiv madhor në përmbushjen me sukses të detyrës dhe të angazhimit të pakohë e me koordinata të papritura që parashtron çdo rast, ku më është dashur të jem i pranishëm me gjithë potencialin tim fizik, intelektual e shpirtëror.

Në këtë etapë ku ka hyrë tashmë zhvillimi dhe integrimi i Policisë së Shtetit, duke u bërë partnere e agjencive më të njohura ligj zbatuese ndërkombëtare, policia po përballet dhe është në luftë të pandërprerë me gati të njëjtat dukuri e sfida, me të cilat ndeshet puna e policive në vendet me një performancë dhe traditë tejet të konsoliduar. Falë këtyre arritjeve, drejtimi i Policisë së Shtetit u orientua dhe i njehsoi objektivat dhe prioritetet e saj, me ato të vendeve të zhvilluara dhe prijëtare në çështjet e sigurisë. Këto organizma të cilat gëzojnë një prestigj dhe ndikim të shumanshëm në sigurinë globale, tashmë e shohim armën tonë, si një aleate të denjë, me kapacitetet e duhura dhe aspiratën për t’iu përgjigjur standardeve të kohës.

Të gjitha këto arritje ne i realizuam së bashku, pasi asnjëherë nuk e kam menduar forcën e armës që drejtoja për ta renditur karshi jush por gjithmonë të ishte përkrah jush, duke hedhur hapa të matur dhe pa u ndalur për asnjë çast, qoftë edhe kur përballej me realitete që preknin dhe kërcënonin sigurinë publike dhe atë institucionale.

Sot, ashtu siç edhe mund ta keni vënë re, kemi një situatë ku polici nuk përqeshet ose të shndërrohet më në objekt humori. Tanimë çdo përkushtim e sakrificë deri në dhënien e jetës në emër të detyrës, zë vend në panteonin e vlerave më të patjetërsueshme të armës sonë.

Situatat e vështira janë ato që na kanë rritur dhe stërvitur, me qëllim për t’i parandaluar dhe kapërcyer ato, sepse gjatë jetës së tij profesionale askush nuk mundet të përsoset pa kaluar nëpër tehun e vështirësive. Pikërisht kjo është dhe mbetet shkolla më e madhe të cilën na e shpalos jeta dhe çdo aspekt i saj.

Të mos harrojmë për asnjë çast se ne jemi jo vetëm pasardhës por edhe bij e bija të atyre brezave që me mund e vetëmohim arritën ta bëjnë këtë vend dhe besuan në ardhmërinë e tij. E kaluara është ajo dritare që na përcjell vetëm të vërtetën, atë të vërtetë për të cilën na del të gjithëve si detyrë të punojmë e të sakrifikojmë jo pak nga jeta jonë, ashtu siç thotë edhe Konfuçi i madh se “Fitorja jonë më e madhe nuk është të mos biem kurrë, por të ngrihemi sa herë që biem”!

Nuk mund të largohesha nga ky pozicion i rëndësishëm pa shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë ju dhe duke uruar pasardhësin tim në këtë detyrë, për një vijimësi të mbarë dhe të suksesshme në të gjitha drejtimet që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë publike.

Falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë kolegët dhe çdo punonjës të Policisë së Shtetit që me përgjegjësi, devotshmëri e profesionalizëm përmbushin dhe i përgjigjen në kohë çdo situate apo detyrimi ndaj shoqërisë dhe institucioneve.

Shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë agjencitë ligj zbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë, për frymën e bashkëpunimit dhe mbështetjen që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Policisë së Shtetit, në dobi të përvetësimin të modeleve më të përparuara që aplikohen sot në vendet e zhvilluara.

Kam një vlerësim dhe falënderim të veçantë për median dhe përfaqësuesit e saj, të cilët kanë përcjellë me transparencë të plotë dhe kanë analizuar në mënyrë të paanshme dhe tejet profesionale çdo etapë të punës së Policisë së Shtetit, në përmbushjeve të detyrimeve dhe interesave ndaj qytetarëve.

Nuk mundem të rri, pa i kushtuar një vëmendje dhe një falënderim të veçantë mbarë komunitetit sepse falë marrëdhënies së ndërsjellë që krijuam, ky i fundit mbetet mbështetësi dhe motivi më i fortë e i qëndrueshëm në krejt veprimtarinë e Policisë së Shtetit.

Ju falemiderit.

I juaji,

Gledis Nano.

/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!