U prek nga poliomeliti në moshën 6-vjeçare, ndërron jetë njeriu që jetoi për 70 vite në një “mushkri hekuri”

schedule11:32 - 13 Mars, 2024

schedule 11:32 - 13 Mars, 2024

Paul Alexander, njeriu që jetoi në një mushkëri hekuri për 70 vjet pasi poliomieliti e la të paralizuar, ka vdekur në moshën 78-vjeçare. Alexander, nga Dallas, Teksas, vdiq të hënën.

Në pamundësi për të marrë frymë vetë, ai u vendos brenda një tubi të veçantë të quajtur “mushkëri hekuri”, e cila e mbajti gjallë që nga viti 1952. Ventilatori në fjalë, i cili duket si një arkivol metalik i frikshëm, kërkon që pacientët të shtrihen brenda tij, me një pajisje të lidhur fort në qafë.

“Mushkëria e hekurt”, një ventilator mekanik i mbyllur, ishte një tub mrekullie që lëvizi mushkëritë dhe shpëtoi jetën e mijëra pacientëve të paralizuar nga poliomieliti.

Pajisja funksionon duke krijuar një vakum dhe kështu mushkëritë e pacientit furnizohen me oksigjen, pasi sistemi nervor qendror dhe funksioni i frymëmarrjes janë dëmtuar nga poliomieliti.

Ndërsa ishte në spital, mjekët u përpoqën ta bënin Paulin të merrte frymë vetë duke e shkëputur nga makina. Por pothuajse menjëherë ai filloi të mavijoset. Sipas The Guardian, Paul arriti të marrë frymë vetë duke zhvilluar një teknikë shumë të vështirë të quajtur “frymëmarrja e bretkosave”.

Emri mjekësor për “frymëmarrjen e bretkosave” është “frymëmarrja glosofaringeale” e cila bëhet duke gëlltitur ajrin. Ishte terapistja fizike e Paulit, znj. Sullivan, e cila e ndihmoi atë të zhvillonte këtë teknikë të frymëmarrjes.

Atij iu desh një vit, dhe pasi arriti të merrte frymë vetë për një kohë të gjatë, ai mundi të dilte nga mushkëria e hekurt. Ulej fillimisht në tarracën e shtëpisë dhe më pas dilte në oborr.

Edhe pse për të jetuar iu desh të flinte në mushkërinë e hekurt, Pal filloi dalëngadalë të dilte jashtë oborrit. Në moshën 21-vjeçare, ai u bë personi i parë që u diplomua nga një shkollë e mesme në Dallas pa ndjekur mësimet personalisht.

Paul tregoi përvojat në autobiografinë e tij prej 155 faqesh, të cilën e shkroi gjatë pesë viteve. Pal shkroi çdo fjalë me një stilolaps të ngjitur në një shkop në gojë. Ai i mbijetoi pandemisë së koronavirusit, pavarësisht se ishte në grupin me rrezik të lartë.

Makina e Paul u shpik në vitin 1928 dhe nuk është prodhuar që nga fundi i viteve ’60, pasi teknologjia ka përparuar. Pavarësisht shpikjes së makinerive më moderne, Aleksandri ka preferuar të vazhdojë të jetojë në mushkërinë e tij të hekurt.

Ai shpjegoi për Guardian në vitin 2020 se në kohën kur u zhvilluan makineritë më të reja, ai ishte mësuar me “kalin e tij të vjetër të hekurt”. Në një intervistë me regjisorin Mitch Summer në vitin 2020, Paul deklaroi se ai kurrë nuk hoqi dorë nga vetja, pavarësisht vështirësive me të cilat u përball.

“Nuk ka rëndësi se nga jeni, cila është prejardhja juaj apo sfidat me të cilat mund të përballeni. Ju me të vërtetë mund të bëni gjithçka. Thjesht duhet ta vendosni në mendje dhe të punoni shumë”, ishte shprehur ai.

Poliomeliti përfshiu Amerikën në vitet 1940 dhe 1950. Nuk ka pasur asnjë rast të ri të poliomielitit në SHBA që nga viti 1979, as në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 1984 dhe deri në vitin 2000.

Sot, virusi shfaqet vetëm në tre rajone, Afganistan, Nigeri dhe Pakistan, dhe rastet numërohen në dhjetëra.

Poliomieliti (polio) sulmon neuronet motorike në palcën kurrizore, duke ndërprerë komunikimin midis sistemit nervor qendror dhe muskujve, duke i bërë ata përfundimisht shumë të dobët për të lejuar një person të marrë frymë vetë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!