U prek nga COVID-19, Gabiadini: Jam negativ, faleminderit për mesazhet

schedule13:18 - 31 Mars, 2020

schedule 13:18 - 31 Mars, 2020

Coronavirusi ka gjunjëzuar Italinë, por ka dhe disa lajme të mira. Përveç uljeve të numrit të rasteve të reja, ka dhe shumë të shëruar nga Covid-19. Mes tyre është dhe sulmuesi i Sampdorias, Manolo Gabbiadini. Italiani ishte futbollisti i dytë i prekur në Seria A, pas Ruganit të Juventusit.

Në një lidhje live nga shtëpia e tij për “Sky”, ai tregon se si e kaloi virusin dhe ditët e vështira që la pas. “Më falni për paraqitjen time, por nuk kam mundur dot të shkoj tek berberi. Unë dhe familja ime jemi mirë dhe këto ditët e fundit kam rifilluar stërvitjen”, tregon italiani.

“Në fillim kisha temperaturë të lartë. Më pas më filloi kolla për katër, pesë ditë. Tani jam negativ, por në ditët në vijim do të bëj dhe një test tjetër për të qenë i sigurt. Më është rikthyer forca dhe fatmirësisht kam rifilluar stërvitjen.

Dua t’i falenderoj të gjithë ata që më kanë përkrahur, sidomos ish-trajnerët e mi. Vetëm në “WhatsApp” kam mbi 300 mesazhe”, tregon Gabbiadini. /abcnews.al