Prokuroria e posacme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjykatën për ish kryeprokurorin e Sarandës Kledian Llaho. Fajtor u gjet edhe ish prokurori tjeter Çlirim Shahini, që ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Llaho dhe Shahini dyshohen se u përfshinë në një aferë korrupsioni për zbutjen e masës së sigurimit ndaj shtetasit Pando Papuçi, i cili ishte shpallur në kërkim për ndërtim pa leje.
Ky i fundit, pasi arriti t’i shmangej drejtësisë për dy vite, u arrestua dhe doli para gjykatës për vlerësimin e masës e cila u gjykua dhe u ndryshua brenda 1 ore nga gjyqtarja Edona Vajushi me kërkesë të prokurorisë.
Dyshohet sipas SPAK, se ish-prokurorët i kanë kërkuar para Pando Papuçit në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore, me qëllim zbutjen e masës së sigurimit ndaj tij. Këto veprime, të dokumentuara nga organi i akuzës, provojnë ekzistencën e një skeme korrupsioni të organizuar, ku funksionarë të drejtësisë kërkonin përfitime monetare për favorizim në trajtimin e çështjeve penale.
Llaho, sipas prokurores Manjola Kajana, dyshohet se ka marrë 30 mijë euro. Ndërsa prokurori i Papuçit, Çlirim Shahini provohet se ka marrë 25 mijë euro në këmbim që t’i kërkonte gjykatës masën “detyrim paraqitje”, ndërsa në total dyshohet se janë paguar 55 mijë euro për një masë sigurimi./abcnews.al


