U nis me dy skafe, kapet 1 ton drogë nga Shqipëria në Itali

schedule09:26 - 29 Prill, 2020

schedule 09:26 - 29 Prill, 2020

Një sasi e madhe droge është kapur nga autoritetet italiane mëngjesin e sotëm në brigje te Barit.

Mediat italiane raportojnë se është kapur 646 kilogram kanabis dhe 250 kilogram hashash, e cila ka ardhur nga Shqipëria. Droga u kap gjatë natës mes të hënës dhe të martës dhe operacioni u krye nga deti dhe nga ajri prej Guardia di Finanza-s si edhe ushtrisë italiane.

Mësohet se sasia e drogës ishte nisur me 2 motorskafe nga Shqipëria për në Itali, ndërsa gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë dy italianë. Droga ishte paketuar në 50 pako me peshë nga 2.5 në 10 kilogram secila. Autoritetet italiane raportojnë se sasia e kapur përllogaritet të ketë një vlerë rreth 10 milion euro në treg.

Dyshohet se kohët e fundit janë riaktivizuar linjat e trafikut të drogës dhe klandestinëve nga Shqipëria për në Itali pasi vetëm pak ditë më parë u kap në Karaburun një skaf 9 metra i gjatë, i cili u raportua se kishte dërguar me 33 klandestinë kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!