Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, ka mbajtur fjalimin e tij në kongresin e UEFA-s dhe tema kryesore ishte pikërisht European Super League. “Do doja të kisha folur për të tjera gjëra me ju, por 24 orët e fundit kanë ndryshuar gjithçka. Ekziston një temë që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve: projekti Super League.
Është jashtëzakonisht e qartë që FIFA është një organizatë e bazuar në vlerat reale të sport, sipas një strukture piramidale. Si FIFA, ne vetëm mund ta kundërshtojmë krijimin e një kompeticioni të tillë. Është diçka që është plotësisht jashtë sistemit. Unë jam këtu për të mbështetur futbollin europian, UEFA-n, 55 federatat, ligat, lojtarët dhe tifozët nga e gjithë Europa dhe bota.
Shikoni sukseset e arritura deri tani nga futbolli europian dhe produktet e ofruara nga ky sistem. E kam nisur duke luajtur në malet e Zvicrës, nuk isha futbollist i mirë dhe isha pjesë e një ekipi në ligën e fundit të futbollit zviceran. Nëna ime më lante uniformat.
Pavarësisht kësaj u ndjemë të lidhur me divizionin e parë, falë futbollit. Kur shënuam një gol u ndjemë si Paolo Rossi në Kupën e Botës 1982. Kam kaluar 16 vjet në UEFA, kam punuar shumë duke investuar një pjesë të jetës time duket mbrojtur parimet dhe vlerat që e kanë bërë futbollin europian një sukses.
Mendojmë se ka shumë për të humbur vetëm në emër të përfitimit ekonomik. Ne duhet të reflektojmë dhe të marrim përgjegjësi ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuuar në këtë model dhe ta mbrojmë atë. Kjo është puna jonë. Nuk ka rrugë të mesme dhe kjo duhet të jetë e qartë.
UEFA dhe FIFA janë organizata demokratike, ku ka respekt për pasionin e të gjithëve. Pandemia ka pasur pasoja, por ne duhet të vazhdojmë rrugën tonë. Futbolli është shpresë dhe është përgjegjësia jonë ta bëjmë këtë shpresë të vërtetë, por gjithmonë duke vepruar me respekt, solidarit dhe interes për nivelet e ndryshme”. /abcnews.al