U nda nga jeta 4 ditë më parë, Meta vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” ish-Presidentin Nishani

schedule17:39 - 1 Qershor, 2022

schedule 17:39 - 1 Qershor, 2022

4 ditë pas ndarjes nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani, presidenti Ilir Meta e ka vlerësuar me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, ish-Presidentin Bujar Nishani (pas vdekjes) me motivacionin: Në vlerësim të kontributeve të shquara në të gjitha detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë dhe institucioneve, për integrimin euro-atlantik dhe evropian të vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare. Në nderim të integritetit dhe dinjitetit të lartë njerëzor, si model i burrështetasit që punoi me përkushtim dhe përgjegjshmëri në shërbim të atdheut”.

Trupi i ish-Presidentit Bujar Nishani mbërriti në Shqipëri mbrëmjen e të martës, katër ditë pasi ndërroi jetë në një spital në Gjermani. Kërkesa e familjarëve ishte që rrugëtimi i trupit të ish-Presidentit drejtë banesës së tij të fundit të përshkruante edhe territorin e Kosovës, shtet për të cilin ai u angazhua për njohje ndërkombëtare gjatë detyrës së tij si kryetar i shtetit.

Makina me arkëmortin teksa kaloi pikën e kufirit të Morinës mes Kosovës dhe Shqipërisë u nderua  përmes një ceremonie nga forcat policore të pikës kufitare në Morinës.  Mëngjesin e të mërkurës, arkëmorti i ish-Presidentit Nishani, mbërriti në institucionin e Presidencës, ku ai shërbeu për 5 vite. Miq, familjarë dhe bashkëpunëtorë të afërt nderuan ish-kreun e shtetit dhe ngushëlluan familjarët. Sali Berisha tha se me largimin e parakohshëm të Nishanit nga jeta, shqiptarët humbën një shtetar dinjitoz.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!