U mposhtën në shtëpi nga Kukësi, Duro: Një nga ndeshjet më të dobëta të Egnatias

schedule15:54 - 26 Janar, 2023

schedule 15:54 - 26 Janar, 2023

Egnatia u mposht në shtëpi nga Kukësi me rezultatin 1-2, pasi verilindorët kanë mundur të përmbysin rezultatin në minutat e fundit të lojës, duke marrë kështu një fitore të rëndësishme.

Pas përfundimit të ndeshjes, ka folur rreth kësaj sfide trajneri i Egnatias, Shpëtim Duro, duke shprehur pakënaqësitë e tij.

“Duhet të them që kjo ka qenë një ndeshje jo e mirë, një nga më të dobëtat që kur kam marrë drejtimin e Egnatias. Në pjesën e parë arritëm të zhbllokojmë rezultatin, ndërsa në pjesën e dytë nuk kemi luajtur mirë, kemi gabuar.

Kukësi na ndëshkoi dhe skuadra e kishte të vështirë të reagonte. E theksoj nuk më ka pëlqyer kjo ndeshje. Kemi barazuar në takimet paraardhëse, por kemi luajtur mirë.

Pjesa e dytë? Në pjesën e parë mund të mbyllnim ndeshjen, ndërsa në pjesën e dytë mendova të freskoj skuadrën me zëvendësimet, por është e vërtetë që lojtari i ri Emses, nuk ishte në gjendjen e duhur. Edhe goli ndikoi, edhe zëvendësimet, Kukësi fitoi moral. Jemi në krizë, është fakt. Skuadra është e mirë, kanë ardhur futbollist me vlera, por duhet kohë. Pas golit të parë të Kukësit, pashë një skuadër që nuk funksionoi.

Kalendari i vështirë? E shoh skuadrën të ngarkuar psikologjikisht, sepse nuk  besonte që do të fitonte ndeshjen. Nuk jemi në një moment të mirë. Ne mund të përballemi me çdo kundërshtar, por duhet ta tregojmë në fushën e lojës. Do punojmë në disa aspekte. Edhe psikologjikisht. Lojtarët kanë pasur dëmtime dhe besoj që për ndeshjen e radhës mund të jenë të gatshëm”, ka thënë Duro./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!