U mori 570 mijë euro nëpërmjet mashtrimit, si e futi në kurth 30 vjeçarja shoqen dhe familjen Verracaku

schedule14:36 - 24 Maj, 2023

schedule 14:36 - 24 Maj, 2023

Një skemë mashtrimi të ngjashme me ato të filmave ka përdorur ish-zyrtarja e Bankës së Shqipërisë Milena Deraj, duke përfituar 570 mijë euro. 30 vjeçarja u arrestua për mashtrim.Deraj u denoncua në polici nga shoqja e saj, të cilët i kishte marrë shumën prej 230 mijë eurosh me argumentin se do t’i investonte në bono thesar.

Paratë janë dhënë gjatë një viti, dhe kur shoqja e saj ka kuptuar skemën e mashtrimit është paraqitur në polici për ta denoncuar. Dhe pikërisht këtu, hetuesit zbulojnë mashtrimin e radhës që Milena Deraj kishte bërë me persona të tjerë.

30 vjeçarja, teksa merrej në pyetje ka deklaruar se ndihej e kërcënuar nga një familje në Shkodër, të cilëve u kishte marrë po duke i mashtruar 340 mijë euro duke i premtuar se do i ndihmonte në një proces gjyqësor që ata kishin për një ngjarje kriminale të ndodhur dy vite më parë në Velipojë.

Shumën e parave, mashtruesja profesioniste ua kishte marrë në kohë të ndryshme Hasan, Abedin dhe Shyqyri Verracaku, babait dhe dy djemve nga Shkodra.

30 vjeçarja Milena Deraj u kishte premtuar se do ndërhynte tek persona të tjerë për t’u zgjidhur çështjen e gjyqit dhe për t’u lehtësuar pozitat që Verracakët kanë për masakrën me 4 të vrarë në Velipojë, në vitin 2021, ku viktimë mbetën persona nga familja Verracaku dhe Gocaj, si dhe kamarjeri 20 vjeçar Musaen Zeneli.

Për këtë ngjarje i arrestuar ishte edhe Hasan Verracaku. Tashmë, pas dëshmisë së Derajt, policia ka shpallur në kërkim tre pjesëtarët e familjes Verracaku, për kërcënimet që ata i kanë bërë 30 vjeçares, në mënyrë që ajo t’u kthente paratë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!