U merrnin ryshfet qytetarëve, efektivët në Morinë pikasën spiunin dhe e thyen, por s’i shpëtuan hekurave

schedule10:52 - 10 Prill, 2022

schedule 10:52 - 10 Prill, 2022

Efektivët e policisë kufitare në pikën e kalimit në Morinë të arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre tentuan që t’i shpëtojnë prangave. Disa ditë para se të arrestoheshin efektivët kanë pikasur kamerën e sigurisë të vendosur në kondicionerin e sallës në pikën doganore. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se e kanë pikasur kamerën për shkak të sinjalit që bënte dhe më pas e kanë thyer. Por në sallë kishte edhe kamera e përgjues të tjerë të cilat faktuan provat e shpërdorimit të detyrës.

32 efektivët janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së posaçme SPAK për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Operacioni u zhvillua mes Kosovës e Shqipërisë. Zyrtarisht SPAK tha se pas një hetimi 1 vjeçar, janë lëshuar 34 masa sigurie, 32 prej të cilave janë punonjës policie që kanë ushtruar funksione të ndryshme në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Kukës. Nga hetimet ka rezultuar se efektivët e policisë i merrnin shuma monetare personave të ndryshme që hynin në territorin e Kosovës.

LEXO EDHE: Korrupsion në doganë, aksion i përbashkët me autoritetet në Kosovë, SPAK: Arrestohen 31 policë dhe punonjës në Morinë

Sipas SPAK ata i kanë kryer veprat penale në bashkëpunim, ku sipas burimeve policët merrnin nga 10 deri në 100 euro personave që kishin sende te paligjshme apo nuk plotësonin dokumentacionin e nevojshëm për të kaluar kufirin. Mësohet se  punonjësit e policisë i bashkonin lekët, dhe në fund i ndanin me njëri-tjetrin. Zyrtarisht Prokuroria e Posaçme thotë se janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të efektivëve të policisë.  Operacioni është zhvilluar  në bashkëpunim me autoritete kosovare, vazhdën e aksionit “Pika”, ku Inspektorati Policor i Kosovë zbarkoi edhe në pikën kufitare në Vërmicë, pas identifikimit të zyrtarëve policorë që dyshohen të jenë të përfshirë në disa vepra penale. Në kuadër të këtij operacioni, më 14 mars, Policia dhe Prokuroria Speciale kishte një aksion të quajtur “Pika” e ku ishin arrestuar 48 policë. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!