“U mbush qelia, 4 gra në 1 krevat”, Artan Hoxha zbulon sekretet e dosjes së bujshme

schedule19:42 - 15 Janar, 2020

schedule 19:42 - 15 Janar, 2020

Prokuroria e Tiranë ka prerë 31 urdhër-ndalime për ish-zyrtarët lokalë, ndërtues, arkitektë, etj. lidhur me dëmet e shkaktuara nga termeti i 26 nëntorit. Sipas prokurorëve janë gjetur shkelje të shumta sa i përket ndërtimeve në zonën e Unazës së Re, Farkës në Tiranë si dhe në Kamëz e Vorë.

I ftuar pasditen e sotme në studion e “Abc News” gazetari investigativ, Artan Hoxha tha se kjo dosje e servirur me bujë do të shfryhet shumë shpejt në gjykatë. Edhe pse janë lëshuar 31 urdhër-arreste nga prokuroria, gjykata do ti lirojë ata një nga një, pasi prokurorët janë të pritur të çojnë njerëz në burg kur ka presion politik.


Artan Hoxha:  Nëse i hidhni një sy sot Tiranës dhe nëse e krahasoni me atë të para 20 viteve do të shihni se Tirana është zgjeruar shumë pikërisht në këto zona që quheshin komuna, si Farka apo Kashari. Dua të theksoj se Farka administronte pjesën elite të kryeqytetit, aty janë janë vendosur restore dhe shtëpitë e VIP-ave. Ish-komuna e Farkës përfshin edhe zonën e Kopshtit Zoologjik apo Liqenin e Thatë ku janë bërë pallate me shumë kate.

E njëjta gjë është Kashari… ish-komuna Kashar ka dhënë gjithë lejet e ndërtimit për Unazën e Re (Astir), Mëzezin, Yzberishtin, etij. Kjo zonë sot për sot është si Kabul. Është ndërtuar pa asnjë lloj plani urbanisitik. Aty nuk ka asnjë shkollë apo kopësht publik. Po të shohësh në 7 të mëngjesit ka një trafik të paparë pasi të gjithë i çojnë fëmijët në shkolla të tjera të Tiranës.

20 vitet e fundit kryeqyteti është drejtuar nga e majta, ndërsa ish-komunat nga e djathta. Pra fletë-arrestet janë prerë për të djathtët, bashkia e madhe që është drejtuar nga e majta nuk është prekur nga prokurorët e çështjes. Dëgjova sot prokuroren që përmendi edhe Kamzën e Vorën. Të gjitha këto njësi administrative kanë qenë drejtuar nga kryetarë të djathtë.

U mbush qelia, 4 gra në një krevat

Artan Hoxha: Dje kur u bënë arrestimet zinxhirë isha në kafe me një drejtues policie dhe e merr në telefon një grua i thotë më kanë rrëmbyer burrin. Kur pyes çfarë profesioni ka, më thotë arkitekt? Në sallën operative mësuam se po bëhen arrestime të shumta, që ishin ishin arkitektë, inxhinierë, ndërtues dhe pushtetarë vendorë. Theksoj se janë lëshuar 31 fletë-arreste por kanë dalë emrat e 27 personave, 6 të tjerë dyshohet se janë larguar nga vendi.

Në pamje të parë duket goditje e fortë. Drejtoria e Policisë së Tiranës ishte e mbushur mbrëmë me familjarë dukej sikur aty kishte miting. Mes të arrestuarëve janë dhe 4 gra (femra) që mbrëmë kanë fjetur në një qeli, në një krevat. Avokatët nuk lejoheshin se nuk ishin gati prokurat. Pra, prokuroria dhe policia bënë gjithë këtë fluks njerëzish ndaj nuk arrijnë të bëjnë dot gati materialet. Le të shohim nesër kur të dalin në gjykatë, a do të vlerësohen të ligjshme masat e sigurimit personal?!

Unë mendoj se masiviteti sfumon cilësinë. Publiku pret tjetër gjë, pret të arrestohen njerëz të rëndësishëm me pushtet. Kjo nisja nga poshtë s’më pëlqen.

Pse nuk do dënohen ish-kryekomunarët

Artan Hoxha: I dëgjova me vemendje prokurorët, ata janë bazuar në një ligj të shekullit të kaluar, ligji urbanistik i vitit 1998. Bardh Plaku ish-kreu i komunës Farkë dhe Besnik Fuçia i Kasharit, kanë kohë që e kanë lënë mandatin. Veprat penale që u atribuon janë parashkruar… Pra i mbledhin me bujë në polici dhe i lirojnë një nga një tek gjykata. Njerëzit duan që të ketë ndëshkim të plotë për katrahurën e tmerrshme të ndërtimeve, nuk duan ‘show’.

Ndërtimet pa cilësi nuk janë bërë vetëm në periferi, por edhe në Tiranë. Aktualisht brenda qytetit të Tiranës ndërtohet me ritme të larta. Betonieret punojnë ditën dhe shkon Policia Bashkiake e gjobit qytetarët, që të mbajë rrugën e hapur për betonieret e pallateve.

Te diga e Liqenit ka shumë objekte. Ato dallojnë të gjitha nga larg se kanë kate shtesë, deri në 4 kate. Gjithë këto kohë nuk i ka kontrolluar askush ndërtuesit. Mendoj se gjyakta mund ti lirojë personat e arrestuar sepse prokuroria s’ka nevojë të bëjë zhurmë, por hetime të thelluara. Pra ata mund ti hetonte në gjendje të lirë, por ta kopsiste dosjen. Kemi 18 arrestimet e Durrësit, që u liruar ca në Shkallën e Parë e ca në Apel. Prokurorët tanë janë të pritur të çojnë njerëz në burg kur ka presion politik. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!