Ish-deputeti i Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja, i arrestuar për tre akuza të rënda me urdhër të SPAK, është larguar nga policia e Durrësit dhe është nisur drejt Tiranës për procedura të tjera hetimore.
“Pak më parë, Çyrbja është nisur drej kryeqytetit pasi përfunduan procedurat agjentët e SPAK në drejtorinë vendore të policisë së Durrësit. Deputeti u arrestua në automjetin e tij teksa po lëvizte nga Shijaku në drejtim të Durrësit. Në pranga është vënë edhe kunati i vëllait të tij, Ahmet Masha”, raportoi gazetari Leonidha Musaj.
Siç raportoi gazetari, ish deputeti akuzohet se ka vënë në dijeni disa persona që kanë kryer krime në Durrës përgjatë viteve të fundit ndërkohë që ishte deputet i Kuvendit.
Çyrbja akuzohet për tre vepra penale, atë të përkrahjes së autorit të krimit, tregimi i sekretit shtetëror si dhe korrupsionit në zgjedhje. Në të njëjtën kohë rezulton së Çyrbja është marrë i pandehur edhe për shpërdorim detyre, por urdhri i arrestit nuk lidhet me këtë çështje.
Pak ditë më parë SPAK i komunikoi akuzën e shpërdorimit të detyrës, në kohën kur ai drejtonte hipotekën e Durrësit./abcnews.al