U largua nga Laçi, Velija zyrtarizohet te Shkëndija: Realizova ëndrrën e fëmijërisë

schedule19:01 - 8 Qershor, 2022

schedule 19:01 - 8 Qershor, 2022

Bashkim Velija ditën e djeshme u përshëndet me Laçin, ndërsa nuk ka vonuar edhe zyrtarizimi i tij te skuadra e re.

Ish-lojtari i kurbinasve ka firmosur kontratë me Shkëndijën e Tetovës, i cili ka nënshkruar një kontratë dy-vjeçare me kuqezinjtë.

28-vjeçario ka thënë edhe fjalët e para si lojtar i kuqezinjve, teksa është shprehur se kjo ka qenë një ëndërr e hershme e tij.

“Shkëndija angazhon përforcim mjaft cilësor në repartin e mbrojtjes. Bëhet fjalë për mbrojtësin e djathtë, 28 vjeçarin Bashkim Velija, i cili me klubin tonë ka nënshkruar kontratë me kohëzgjatje prej dy vitesh.

Bashkim Velija së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës së Laçit nga Republika e Shqipërisë, ndërsa paraprakisht për disa sezone radhazi ka luajtur për ekipin e Renovës”, shkruan klubi shqiptar që garon në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.

“Jam tepër i lumtur që sot bëhem pjesë e Shkëndijës. Ka qenë dëshirë e imja e kahmotshme që një ditë të luaj për Shkëndijën. Ajo që më shumë gëzon është se Shkëndija është duke krijuar një ekip cilësor dhe jam i lumtur që edhe unë do të jem pjesë e ekipit që pritet këtë vit të shënojë sukseset e radhës në garat evropiane.

Unë i falënderoj drejtuesit e klubit që ma dhanë këtë mundësi. Jam lojtar që në fushën e gjelbër gjithmonë e jap maksimumin dhe ju premtoj të gjithëve se do t’i përkushtohem maksimalisht fanellës kuqezi”, deklaroi Velija pas nënshkrimit të kontratës.

/f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!