U la jashtë listës, Elona Gjebrea: Do jem aktive në fushatë për mandatin e tretë të PS-së

schedule00:06 - 10 Mars, 2021

schedule 00:06 - 10 Mars, 2021

Deputetja socialiste Elona Gjebrea u la jashtë listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 Prillit ka deklaruar me anë të një statusi në rrjetet sociale se do vijojë te jetë e angazhuar në PS edhe pse nuk do të mandatohet në legjisilativin e ardhshëm.

Gjebrea thotë se do të çojë në fund punët e nisura pasi nuk mund ta shmangë përgjegjësinë edhe pse nuk është listë. Ajo falenderon kreun e qeverisë për bashkëpunimin ndërsa vlerëson edhe numrin e grave dhe vajzave kandidate për të marrë një mandate në Kuvend pas 25 Prillit.

“Të dashur miq e mikesha, mbështetës e të afërm!  Prej pothuajse 8 vitesh zgjodha të jem pjesë e Partisë Socialiste sepse vizioni, misioni dhe forca e saj janë vlerat e kesaj force politike. Ishte një eksperiencë unike për mua që t’ju përfaqësoja, për të qenë zëri i gruas në Parlament dhe i komunitetit të Njësisë 1.  Jam shumë e vlerësuar që m’u besua në vitin 2013 pozicioni si zëvendës Ministre e Brendshme dhe po ashtu në 2017 si përfaqësuese e juaja në Kuvendin e Shqipërisë.

Kam ndjerë me përgjegjësi çdo moment përfaqesimin e komunitetit tek Njësia 1 dhe jam krenare për gjithçka kemi arritur së bashku gjatë rrugëtimit tonë. I jam mirënjohese cdo socialisti e bashkëpunëtori të Njësisë 1, për energjitë dhe përkushtimin në sfidat tona të përbashkëta.

I jam mirënjohëse çdo qytetari që ka gjetur forcën dhe ka ndarë me mua historitë, dhimbjet, që ka bashkëpunuar në çdo moment, për t’i dhënë zgjidhje problematikave dhe për të gjetur zgjidhjen e tyre. Gjithashtu e lumtur për miqtë e mikeshat, jashtë politikës por dhe brenda saj, që më kanë mbështetur gjithnjë, njëjtë si familja ime. Falenderoj kolegët e grupit parlamentar të PS për mbështetjen e dhënë, gratë deputete të mazhorancës dhe te opozitës për bashkëpunimin dhe angazhimin në fuqizimin e Aleancës së Grave Deputete.

Edhe pse nuk do të kandidoj sërish, do të jem po aq aktive në fushatën e 25 Prillit për Mandatin3 të PS-së për t’i çuar deri në fund punët e nisura. Përgjegjësinë nuk mund ta shmang edhe pse nuk jam në listë, por do të punoj si ditën e parë, me gratë, për gratë, për kauzat që na bashkojnë, për të tashmen dhe të ardhmen! Ditën e djeshme, në ditën e 8 Marsit, ekipi i Partisë Socialiste prezantoi 58 vajza dhe gra nga 153 kandidatë për deputet në listën për Parlamentin e ardhshëm.

E ndërsa shumë progres është arritur për promovimin e grave në politike, përsëri sfida të shumta na presin përpara për me shumë barazi gjinore, solidarizim e bashkëpunim për të degjuar zërin e qindra grave të papërfaqësuara.  Përgjegjësia për të qenë përfaqësuesja juaj nuk fshihet kur le mandatin, ajo bëhet pjesë e imja dhe do të mbetet aty duke marrë formë tjetër aktivizimi.

Mirënjohëse Partisë Socialiste dhe Edi Ramës që ndamë së bashku vizionin për çështje delikate dhe çuam përpara projekte të rëndësishme në komunitet. Rrugëtimi në PS vazhdon, me të njëjten energji në mbështetje të ëndrrës sonë të madhe, për një Shqipëri më të mire”, shkruan Elona Gjebrea./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!