“U kërkoj falje të gjithëve”, Qarri: Jo vetëm Ribaj përgjegjës për rënien, kemi gabuar të gjithë

schedule14:36 - 7 Qershor, 2021

schedule 14:36 - 7 Qershor, 2021

Flamurtari regjistroi dje një ditët më të errëta në historinë e klubit, duke humbur finalen për qëndrimin në të Parën ndaj Tërbunit me penallti dhe rënë në Kategorinë e Dytë. Gjithë kritikat pas ndeshjes shkuan për Andi Ribajn, i cili humbi penalltinë e tij dhe rezultoi vendimtare për humbjen e ekipit të tij.

 

Andi Ribaj

Pas ndeshjes një tjetër lojtar i rëndësishëm i ekipit, Mateo Qarri, ka publikuar një shkrim në Instagram, ku i del në mbrojtje kapitenit, i kërkon falje të gjithë tifozëve për këtë disfatë të rëndë dhe shprehet se çdokush tjetër në skuadër duhet të marrë përgjegjësi në këtë situatë.

POSTIMI – “Dje ishte dita më e vështirë e jetës sime. Kam dhënë gjithmonë maksimumin për këtë klub dhe do vazhdoj gjithmonë ta jap sepse ky është klubi ku unë jam rritur dhe më ka dhënë mundësinë të jem ky që jam sot. Flamurtari është ekip me traditë dhe me emër në futbollin shqiptar.

Nuk e meritonim të shkonim një kategori më poshtë. Me anë të këtij postimi dua dhe unë të marr përgjegjësitë e mia dhe t’i kërkoj falje presidencës, stafit teknik dhe gjithë tifozëve vlonjatë.

Dua të shkruaj edhe dy fjalë për kapitenin e ekipit, Andi Ribaj, njëkohësisht shoku im më i mirë sepse gjithë përgjegjësia i ra atij. Ti (drejtuar Ribajt) ke qenë gjithmonë pranë nesh duke na motivuar dhe duke na ndihmuar të rritemi.

Nga futbollisti më i ri, e deri te më i vjetri kemi të gjithë përgjegjësitë dhe gabimet tona pa diskutim. Flamurtari do rikthehet shumë shpejt atje ku e meriton të jetë”, shkruan Qarri. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!