U kap në Abu Dabi për vrasjen e rivalit, policia: Po punojmë për ekstradimin e Plaurent Dervishajt

schedule10:17 - 12 Dhjetor, 2020

schedule 10:17 - 12 Dhjetor, 2020

Policia e shtetit deklaron se është duke punuar me autoritetet për ekstradimin e Plaurent Dervishajt nga Abu Dabi  ku u arrestua pas akuzave të ngritura nga SPAK për vrasjen e Klodian Saliut. “Arrestimi i tij është bërë nga homologët e Interpol Abu Dhabi (Emiratet e Bashkuara Arabe), pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga ana e ZQK Interpol Tiranës, mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bazë të shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shtetit, ku pas verifikimeve ligjore rezultoi se personi i kapur është Plaurent Dervishaj.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, mbi bazën e vendimit të datës 02.12.2020 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ‘’Arrest në burg’’ për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Nga ana e ZQK Interpol Tiranës, agjencive të tjera ligjzbatuese dhe zyrës homologe do të vijojnë procedurat e mëtejshme për ekstradimin e tij drejt vendit tonë” thuhet në njoftimin e policisë në kuadër të operacionit “Asgjë nuk harrohet”.

Dosja për vrasjen e bujshme të Klodian Saliut ndodhur në 26 shkurt të vitit 2005 u hap pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi i cili deklaroi se ekzekutimi i ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës është bërë nga Dervishaj dhe Indrit Taullai me urdhër të Lulzim Berishës. Sipas Reçit, Dervishaj ka qenë bashkëpunëtor edhe në përgatitjen e bombës së vendosur për një tjetër vrasje të bujshme të ndodhur në vitin 2005, atë të biznesmenit Vajdin Lamaj. Tashmë pas hetimeve të përfunduara nga SPAK për këto dy dosje, Lulzim Berisha është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa, Dervishaj, Indrit Taullai, Luftar Reçi, Viktor Ymeri dhe Emiljano Shullazi janë arrestuar./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!