Policia e Durrësit dhe ajo e Kukësit neutralizuan sot një 47-vjeçar, i cili merrej me shitjen e lëndëve plasëse si tritol dhe granata.
Gazetari i ABC Leonidha Musaj raporton se 47-vjeçari Nazif Kolgjini me origjinë nga Kukësi ishte vënë nën vëzhgim prej disa muajsh nga agjentët e policisë së Durrësit, ndërsa sot u vendos të zhvillohet operacioni “Mbikalimi” në Sukth.
“I arrestuari Nazif Kolgjini ishte vënë prej muajsh nën vëzhgim nga policia deri ditën e sotme që u arrestua. Atij iu kapën 1 armë zjarri, 19.5 kallëpe tritol, 10 kapsolla detonatore, 20 granata ofensive dhe 20 ndezësa. Armët kishin mbishkrime serbe mbi amballazh”, raporton gazetari i ABC.
Gjatë kontrollit fizik në momentin e kapjes, atij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 kallëpe tritol dhe 10 kapsolla detonatore. Më pas, policia e Kukësit kreu një kontroll në shtëpinë e të arrestuarit atje duke kapur sërish 3.5 kallëpë tritoli, 1 armë zjarri, 20 granata ofensive dhe 20 ndezësa. /abcnews.al