U kap me mbi 200 mijë euro në portin e Durrësit, burg me një muaj afat për 36 vjeçarin: Janë përfituar nga shitja e një prone në Itali

schedule12:32 - 13 Mars, 2025

schedule 12:32 - 13 Mars, 2025

Gjykata e Durrësit ka vendosur si masë sigurie “burg me një muaj afat” për Mariglen Daiu.

36 vjeçari u arrestua tre ditë më parë në pikën kufitare të Portit të Durrësit pasi iu gjetën 223 mijë euro të padeklaruara. Në masën e sigurisë, Daiu pretendoi se shumë prej 223 mijë eurove nuk ishin të fituara në rrugë të paligjshme, duke theksuar se ishin para të fituara nga shitja e një prone në Itali.

“Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me objektiva parandalimin dhe goditjen e krimeve ne kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në bashkëpunim me autoritetet doganore, finalizuan operacionin “Aseti”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi shqiptar Mariglen Daiu, 36 vjeç, rezident në Itali, sepse iu gjetën në çantën e shpinës, 223 200 euro që tentonte t’i nxirrte nga Shqipëria, pa i deklaruar në PKK.”, thuhej në njoftimin e policisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!