U kap me 1 ton marijuanë te “Gjiri Arushës”, Arbër Saraseli emër i njohur për policinë: Kontrolli në shtëpi e “fundosi” në 2015

schedule13:58 - 8 Gusht, 2022

schedule 13:58 - 8 Gusht, 2022

Policia ka arrestuar pesë persona në kuadër të operacionit “Syri” në Vlorë pasi u kapën duke shkëmbyer 992 kilogram lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë  në vendin e quajtur “Gjiri i Arushës”.

Tre prej tyre ishin nga Vlora, të cilët u kapën nga policia shqiptare, ndërkohë që dy të tjerë ishin ukrainas dhe u arrestuan nga Guardia di Finanza në det të hapur.

Dy grupet ishin organizuar për të shkëmbyer lëndën narkotike në det, ku shqiptarët ishin afruar me skaf, kurse ukrainasit me një velierë, por plani u ka dështuar pasi u pikasën nga Guardia di Finanza.

Mes të arrestuarve është dhe Arbër Saraseli, 31 vjeç, i cili bënte pjesë në grupin e shqiptarëve. Saraseli është një emër i njohur për policinë e Vlorës pasi në vitin 2015 u arrestua pasi në shtëpi iu gjetën pako lëndë shpërthyese tritol.

Policia organizoi në atë kohë operacionin “Laguna”, ku gjatë kërkimeve në shtëpinë e Saraselit pikasën edhe tritolin, i cili atëhere dyshohej se do të përdorej për gjueti peshku.

DETAJET E OPERACIONIT

Në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it. Kontrollet u finalizuan me bllokimin e mjetit lundrues që kishte lëndën narkotike dhe arrestimin e personave që kishin organizuar trafikimin e saj.

Si rezultat i operacionit, nga shërbimet e Policisë së Shtetit u bë i mundur identifikimi i personave që dyshohet se kishin transportuar lëndën narkotike, me 3 mjete lundruese, drejt një mjeti tjetër lundrues në thellësi të detit.

Nga Policia e Vlorës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi, 19 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Gregor Likaj, 33 vjeç, të katërt këta banues në Vlorë.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën në flagrancë, në ujërat italiane, nga Guardia di Finanza, shtetasit Bychkovi Serhii , 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç, të dy me shtetësi ukrainase.

Shtetasit e arrestuar në Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.08.2022, rreth orës 15:00, dyshohet se kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.

Si rezultat i zhvillimit të operacionit të përbashkët, nga autoritetet e Guardia di Finanza është kapur në ujërat italiane, mjeti lundrues me të cilin transportohej lënda narkotike. Shërbimet e GDF-së, gjatë kontrollit në bordin e mjetit lundrues, kanë sekuestruar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë, e ndarë në 153 pako.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Saverjo Imeraj, në Vlorë, shërbimet e DVP Vlorë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike marijuanë, sekuestruan 3 mjete lundruese (skafe), 3 aparate celulare dhe 2 automjete.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, kapjen dhe vënien në pranga të personave të tjerë të implikuar në trafikimin e lëndës narkotike.

Ky operacion është tregues i qartë i bashkëpunimit mjaft të mirë me GDF, Zyrën e Interforce së Policisë Italiane dhe Oficerët e Policisë Italiane pranë QNOD, si dhe i masave të marra nga Policia e Shtetit, për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!