U kap me 1 mln euro në Rinas, kamerunasi: Mi dha një shok në Francë, më tha takohemi në Shqipëri

schedule13:54 - 18 Shkurt, 2022

schedule 13:54 - 18 Shkurt, 2022

53-vjeçari Josoue Ngankam nga Kameruni i cili u kap me një sasi prej 1 milion e 75 mijë euro të dyshuara të falsifikuara në Rinas ka deklaruar para hetuesve se lekët nuk janë të tijat. Valixhen me lekë, sipas tij ia ka dhënë një shok në Francë, por 53-vjeçari thekson se nuk e ka ditur se çfarë ka pasur brenda. Në dëshminë e siguruar nga gazetarja e Abc Xhensila Kodra, ai ka thënë se destinacioni i valixhes ka qenë Shqipëria, ku do takohej dhe me “pronarin” e lekëve.

“Lekët nuk janë të miat. Një shok në France me dha valixhen dhe me tha merre me vete dhe takohemi në Shqipëri. Nuk e dija se çfarë kishte brenda”.

Kur është pyetur se kush është shoku që ia ka dhënë valixhen ai nuk e ka treguar emrin. “E kam njohur nëpërmjet personave të tjerë dhe e di vetëm si e thërrasin shkurt”, ka thënë ai.

Policia bëri me dije se gjatë operacionit janë sekuestruar edhe letra që shërbenin për përgatitjen e kartëmonedhave false dhe një aparat celular. Josoue me origjinë nga Kameruni ka leje qëndrimi në një nga vendet e Bashkimit Europian.

ABC mëson se ai kishte ardhur nga Parisi duke kaluar në Turqi dhe më pas në Shqipëri. Nga hetimet është zbuluar se në bashkëpunim me persona të tjerë në vendin tonë ai do hidhte në treg kartëmonedhat e falsifikuara.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!