Një 32-vjeçar, banues në Vërdovë është vënë në pranga pasi është kapur ndërsa drejtonte një kamion të ngarkuar me lëndë drusore. Pas kontrolleve të bëra nga policia, rezulto se E. Sh., nuk dispononte dokumentacionin përkatës për 20 m³ lëndë drusore që po transportonte.
Po ashtu, u konstatua se 32-vjeçari po e drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Lënda drusore u sekuestrua.
Njoftimi i plotë:
Pogradec
Vijon puna për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prerjes së pyjeve.
Kapet duke transportuar me kamion, 20 m³ lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës dhe drejtonte mjetin në gjendje të dehur, arrestohet në flagrancë nga policia.
Sekuestrohet lëndë drusore.
Në vijim dhe zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e prerjes së paligjshme të pyjeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec në bashkëpunim me Policinë Rrugore, në afërsi të fshatit Pleshisht, ndaluan për verifikim e kontroll mjetin tip kamion “Benz” të ngarkuar me lëndë drusore, me drejtues shtetasin E. Sh., 32 vjeç, banues në fshatin Vërdovë.
Ky shtetas nuk dispononte dokumentacionin përkatës për sasinë e lëndës drusore, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu pas kryerjes së test alkoolit, rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
32-vjeçari, u arrestua në flagrancë dhe materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme. /abcnews.al/